
Siç ndodh gjithmonë në prag, ose gjatë fushatave elektorale, ku e gjithë vëmendja e autoriteteve është tek dalja në terren për të kërkuar vota, paligjshmëria kërkon të përfitojë. Dhe kjo më së shumti vihet re në sektorin e ndërtimit, kur ngado vërehen kantiere në të cilat punohet me intensitet, duke mos u kujdesur aspak për të mos rënë në sy. Si në rastin e Velipojës…. një nga perlat e bregdetit Adriatik, ku dora e njeriut vit pas viti jo vetëm e ka tjetërsuar por e ka shëmtuar këtë pasuri kombëtare.
E ndërsa çbërja e asaj që ka ndodhur në gjithë këto dekada do të shkaktonte një bombë sociale, e ardhmja duket se nuk ka ndonjë shpresë të jetë më e mirë. Duhet të jemi të qartë se askush nuk është kundër, të bukurës dhe zhvillimit të turizmit, por gjithmonë duke zbatuar ligjin dhe lejet përkatëse për ndërtim.
Që fatkeqësisht nuk ka ndodhur aspak në rastet e konstatuara nga ne, ku ndërtimet pa leje të nisura së fundmi, nuk kanë vënë në lëvizje asnjë institucion vendor apo qëndror. Gjatë investigimit tonë, konstatuan një ndërtesë dy katëshe dhe me katin e tretë në proces, pa u pajisur më parë me një leje ndërtimi. Ndërsa ngjitur me të, një ndërtesë 1 katëshe dhe në process për të nisur katin e dytë është sërish pa leje, duke shkelur ligjin me të dy këmbët.
Më e avancuar është paligjshmëria në rastin që po shihni tani. Ndërtimi është në fazën kur edhe çatia është hedhur. Por ka dhe nga ata që deri më tani kanë përfituar të hedhin betonin, në pritje për të nisur ndërtimin e objektit, në një moment të dytë kur vëmendja e shtetit të jetë gjetkë.
Me sa duket Velipoja, me një distancë rreth 35 km nga Shkodra, nuk është objektiv i forcës së ligjit dhe kontrollit të autoriteteve vendore. Por a është normale kjo? Sigurosht që jo, sidomos kur kjo ndodh nën hundën e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet jo shumë larg ndërtimeve pa leje, IMT-së në varësi të bashkisë dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, i cili disponon dhe mjetet e rënda dhe makineritë e duhura, që aty ku shkelet ligji… të veprojë./piranja.al/