Masakra e Dobraçit/ Apeli rikthen në detyrë 4 efektivët që nuk ndaluan personin e paidentifikuar…

Shpërndaje

Gjykata e Apelit ka hequr masën e pezullimit nga detyra për 4 efektivët e “Shqiponjave” në Shkodër, të cilët dyshohet se nuk ndaluan personin e paidentifikuar ( i dyshuar Ibrahim Lici) që ishte pjesë e masakrës me 4 të vrarë të regjistruar pasditen e 30 Tetorit në afërsi të Dobraçit.

Gjithashtu, Apeli i Përgjithshëm ka rrëzuar edhe masën tjetër të marrë nga Gjykata e Shkodrës, për “Ndalim dalje jashtë shtetit” për 4 efektivët.

Katër efektivët e dyshuar për “shpërdorimin detyre” do të hetohen në gjendje të lirë, me masë sigurie detyrim paraqitje.

Katër policët e “Shqiponjave” fillimisht u arrestuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, por më pas Gjykata e Shkodrës iu lehtësoi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim për t’u paraqitur” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”.

AMP nisi hetimet pas publikimit të një videoje ku në vendin ku ndodhi vrasja pak momente pas atentatit shfaqet një person i tretë i gjakosur, i cili dyshohet se ndodhej në makinë me viktimat.

Ky person ishte në vendngjarje derisa mbërritën efektivët e parë siç dukej dhe në pamjet, por asnjë prej punonjësve të policisë nuk e ka ndaluar atë.

Edhe pse pati dyshime se ky person është Ibrahim Lici, nga autoritetet nuk është bërë e ditur zyrtarisht nëse është ai apo nëse ka qenë në të njëjtin mjet me Hamza Licin e Arlind Bushatin, të vrarë në atentat.

Gjithashtu, në atë ngjarje të rëndë humbën jetën dhe çifti Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët ishin duke udhëtuar me motor në momentin e atentatin dhe u përplasën nga makina e viktimave.

Shpërndaje