Maria Sharapova tërhiqet nga tenisi, me një pasuri 325 mln dollarë

Shpërndaje

Ylli i tenisit, Maria Sharapova, njoftoi dje tërheqjen, me një letër ekskluzive për Vogue dhe Vanity Fair. Maria Sharapova, 32 vjeçe, ka fituar 5 Grand Slam dhe ka qenë sportistja më e paguar në klasifikimin e Forbes për 11 vjet me radhë.

Por, dëmtimet dhe një pezullim për përdorimin e një substance të ndaluar e kanë mbajtur jashtë fushës për shumë kohë në katër vitet e fundit. Të ardhurat gjatë karrierës së saj 325 mln $ e rendisin atë të dytën si sportisten më të paguar, pas kundërshtares Serena Williams (350 milionë $).

Sharapova fitoi një vend në skenën sportive botërore në vitin 2004, kur mundi William dhe më pas fitoi Wimbledon në moshën 17-vjeçare. Sponsorët e vetëm në atë kohë ishin Nike dhe Prince, por gjithçka ndryshoi menjëherë. Tenistja ruse u shndërrua në ëndrrën e të gjithë sponsorëve. Ajo firmosi marrëveshje me Tag Heuer, Canon, Motorola, Colgate-Palmolive dhe shumë të tjerë. Vlera e kontratës së saj me Nike u dyfishua. Të ardhurat vjetore u rritën nga 3 milionë  $ në 18 milionë $, duke u bërë atletja më e paguar në botë.

Sharapova firmosi më pas marrëveshje sponsorizimi me Land Rover, PepsiCo dhe Sony. Nike prezantoi më pas linjën e vet të veshjeve për tenis dhe këpuca e saj ishte më e shitura në ish-degën Nike Cole Haan.

Sharapova u shndërrua në yllin më të famshëm në WTA Tour. Ajo e përdori famën e saj për të prezantuar edhe linjën e saj të karameleve, Sugarpova, në vitin 2012, me synimin për ta zgjeruar markën me veshje dhe aksesorë.

Tenistja ruse ka rreth 15 milionë ndjekës në Facebook dhe të ardhurat e saj arritën pikun thuajse 30 milionë $ në vitin 2015. Ajo u pezullua në vitin 2016 për përdorimin meldoniumit, një substancë e cila kohët e fundit ishte përfshirë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Antidoping (WADA). Sharapova deklaroi atëherë se e pati marrë këtë medikament për një dekadë për shkak të një historie familjare me diabet. Pezullimi i saj u reduktua nga 2 vjet në 15 muaj në Gjykatën e Apelit.

Sponsorë si Tag Heuer u larguan nga Sharapova dhe fitimet e saj jashtë fushe filluan të bien. Ajo u kthye në fushë në vitin 2017, por një dëmtim i vazhdueshëm në shpatull e pengoi rikthimin e saj.  Pavarësisht dënimit të saj për doping, sponsorët nuk e braktisën. Ajo firmosi një kontratë me UBS pak pas përfundimit të pezullimit, ndërsa sponsorë si Nike, Evian, Head dhe Porsche i qëndruan besnikë.

Maria Sharapova tërhiqet me 5 tituj Grand Slam dhe 36 fitore në total. Ajo është një ndër dhjetë femrat që ka fituar të katër kompeticionet më të mëdha të tenisit.

Burimi: Forbes

Shpërndaje