Nga kjo e premte në Malin e Zi kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid të cilat detyrojnë qytetarët që të përdorin maskën në të gjitha institucionet publike, farmacitë, dyqanet, pikat e karburanteve, aeroportet dhe stacionet e autobusëve.
Aktualisht në Malin e Zi janë rreth 6500 raste aktive me Covid teksa në 24 orët e fundit një person humbi jetën dhe u shënuan 1022 raste të reja infektimesh.
Autoritetet Shëndetësore atje kanë paralajmëruar se nëse masat aktuale nuk sjellin përmirësim të situatës epidemiologjike atëherë do të merret vendim për mbajtjen e maskave në të gjithë ambientet e mbyllura.
Masat e ndërmarra aktualisht do të jenë në fuqi deri në datën 12 Gusht. Shumica e të infektuarve aktivë në Malin e Zi nuk kanë shfaqur komplikacione shëndetësore dhe po trajtohen në shtëpi. Sipas ekspertëve, varianti i ri i Covid po përhapet më shpejt, por gjithashtu ka simptoma më të lehta.
Institucionet Shëndetësore në Malin e Zi vijojnë të këshillojnë qytetarët të marrin dozat përforcuese të vaksinave për të qenë të sigurt ndaj virusit.