Malësi e Madhe/ Goditen 2 raste të vënies në dispozicion të lokaleve, për përdorimin e drogave dhe për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Poker 6”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që kishin përshtatur lokalin, për përdorim droge dhe ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në fshatin Vukpalaj të Malësisë së Madhe.
Shpallet në kërkim pronari i një lokali tjetër, në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, pasi kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lojës poker dhe lojës me makineta.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, 5 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, që ushtrohej në lokale, në zonën e Malësisë së Madhe, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 6”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. P., 27 vjeç dhe G. P., 22 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e tyre, në fshatin Vukpalaj, për përdorim droge dhe organizim të lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 makineta që shërbenin për lojërat e fatit.
Në vijim të operacionit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit L. H., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.
Gjatë kontrollit në ambientet e këtij lokali, Policia gjeti dhe sekustroi 3 makineta për lojëra fati dhe 1 tavolinë pokeri.
Në momentin e kontrollit, pronari i lokalit, shtetasi L. H. nuk është gjetur në subjektin e tij.
Në vijim të veprimeve është bërë shpallja në kërkim e tij, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Vijon puna intensive për kapjen e tij.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.