Luçiano Boçi: Konçesioni i “florinjtë”, Milot-Balldren…

Shpërndaje

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ngre alarmin për rikthimin e një skeme të dështuar dhe klienteliste në projektin e shumëpërfolur Milot–Balldren. Me një qëndrim të prerë kundër abuzimeve me fondet publike dhe favorizimeve të hapura në tendera, ai denoncon përpjekjen për të shpërblyer dështimin e kompanisë ANK, duke e rikthyer atë si të preferuar në një garë që cenon rëndë ligjshmërinë dhe interesin qytetar.

Postimi i Luçiano Boçit:

KONÇESIONI I “FLORINJTË”, MILOT-BALLDREN

Kompania ANK tenton të rikthehet si fituese në konçesionin Milot–Balldren, megjithëse dështoi herën e parë – një tjetër skemë e qeverisë për të shpërblyer dështimin

Rruga Milot–Balldren, një ndër projektet më të përfolura infrastrukturore në vend, është rikthyer në vëmendje jo për zbatim, por për aferë. Pas një dështimi të dokumentuar, ku kompania ANK nuk arriti të përmbushte detyrimet kontraktuale të konçesionit të parë, projekti është ripublikuar si një procedurë e re tenderimi, duke kaluar nga modeli fillestar i Partneritetit Publik Privat (PPP) në një formulë të re “rrugë me pagesë”.

Ndryshimi i skemës financiare nuk shoqërohet me transparencë apo analizë të dështimit të mëparshëm. Përkundrazi, gjithçka lë të kuptohet si një tentativë për të rikthyer në lojë të njëjtin operator, nëpërmjet një gare që është e rrezikuar seriozisht nga ndikimi politik dhe favorizimi i hapur.

Ajo që trondit është përpjekja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të shpallur sërish fituese kompaninë që nuk plotëson asnjë nga kriteret teknike dhe financiare të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Ky veprim është një shkelje flagrante e barazisë në garë dhe një goditje brutale ndaj transparencës dhe ligjshmërisë në prokurimet publike.

E njëjta kompani, e cila dështoi të zbatojë kontratën e mëparshme duke sjellë anulimin e saj, po tentohet të rikthehet në të njëjtin projekt, nëpërmjet një versioni të ri të përpunuar për të njëjtat interesa. Ky është një rast klasik ku dështimi jo vetëm që nuk ndëshkohet, por shpërblehet me kontrata të reja.

Ndërkohë, ky segment rrugor parashikohet të jetë i tarifuar për qytetarët, duke rritur ndjeshëm barrën financiare mbi përdoruesit.

Theksojmë se procesi i vlerësimit të ofertave po ndiqet me vëmendje dhe çdo vendim i marrë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe interesin publik do të referohet menjëherë pranë institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe çdo organ tjetër përgjegjës për hetimin e abuzimeve me fondet publike dhe procedurat tenderuese.

Ne nuk do të qëndrojmë spektatorë të një tjetër skenari klientelist. Çdo hap i ndërmarrë në kundërshtim me ligjin do të ndiqet dhe dokumentohet. Ky është një paralajmërim i qartë: mjaft më me dështime të shpërblyera!

Shpërndaje