Lihet në burg Lulzim Rakaj/ 38-vjeçari: Qëllova për vetëmbrojtje, shkova për t’u sqaruar, sepse më rrahën nipin…

Share your love

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 38-vjeçarin Lulzim Rakaj, i akuzuar për plagosjen e dy personave në Malësinë e Madhe, ngjarje e ndodhur më 15 shtator.Pala mbrojtëse ka kërkuar masë sigurie më të lehtë, por kjo është refuzuar nga gjyqtari Albert Keraj.

Në seancë, Rakaj ka deklaruar se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi dyshonte se dy të plagosurit kishin armë.Këtë variant Rakaj kishte deklaruar edhe gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit. Ai ka thënë se kishte shkuar për t’u sqaruar me dy personat që plagosi pasi ata disa ditë më parë i kishin rrahur nipin.Rakaj  sqaron se ka pasur një debat mes tyre dhe tregon se ka nxjerrë armën pasi dyshonte se ishin të armatosur.

Mëngjesin e së dielës, Lulzim Rakaj qëlloi me pistoletë dhe plagosi Besmir Çofin dhe Avenir Hasanajn, të cilët u dërguan në spitalin e Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Autori u largua më pas nga vendngjarja për t’u arrestuar disa orë më pas nga forcat speciale, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Arma e zjarrit tip pistoletë nuk është gjetur ende dhe policia po punon për ta gjetur dhe sekuestruar si provë. Lulzim Rakaj në vitin 2004 ka vrarë shtetasin Kolë Gjokaj duke u hakmarrë për babain e tij të vrarë nga vëllai i Kolë Gjokaj më përpara. Pas afro 15 vitesh burg Lulzim Rakaj u lirua duke u përfshirë në këtë tenativë vrasje me dy të plagosur.

Share your love