Ligji ri/ I shtohen kompetencat Policisë Bashkiake, do ruajë bregdetin, pyjet e kafshët e egra…

Shpërndaje

Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për Policinë Bashkiake, duke zgjeruar kompetencat e saj nga 13 që ka aktualisht në 28. Ligji i ri parashikon si kompetenca të reja të Policisë Bashkiake heqjen e çdo material i propagandues të partive politike jashtë vendeve të përcaktuara, zbatimin e masave për ndalimin e gjuetisë së paligjshme, ruajtjen e liqeneve dhe pyjeve, ruajtjen bregut të detit nga zaptimi në territorin e bashkisë përkatëse, zbatimin e planeve në rast emergjencash, marrjen e masave të sigurisë në ndeshjet e futbollit dhe çdo veprimtarie sportive dhe ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë.

Nisma ligjore që pritet të miratohet në Kuvend parashikon gjithashtu se Policia Bashkiake, bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë dhe për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve të ndryshme, mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike. Policia Bashkiake nuk do të ndërhyjë më për të prishur ndërtimet pa leje, por do të kontrollojë territorin dhe do të konstatojë ndërtimet pa leje, duke njoftuar menjëherë IKMT-në.

Policia Bashkiake do të garantojë ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik dhe mjediset e përbashkëta, do të administrojë varrezat si dhe do të sigurojë zbatimin e rregullave për varrimin publik. Gjithashtu, Policia Bashkiake do të ketë për detyrë respektimin e normave ligjore në lidhje me vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;

Të gjitha këto kompetenca të shtuara për Policinë Bashkiake synojnë edhe që të lehtësojnë punën e Policisë së Shtetit, për t’u fokusuar më tej në ruajtjen e sigurisë publike dhe goditjen e krimit dhe korrupsionit.

Kompetencat dhe detyrat e reja të Policisë Bashkiake

1.Siguron zbatimin e akteve të nxjerra nga kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak;
2.Parandalon, konstaton dhe shqyrton kundërvajtjet administrative, përmes forcimit, inspektimit dhe monitorimit në zbatim të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda territorit të juridiksionit të saj.
3.Merr masa të sigurisë për zbatimin e planit të emergjencës së bashkisë për parandalimin e fatkeqësive të ndryshme natyrore, si dhe bashkëpunon me strukturat e mbrojtjes civile pranë bashkisë dhe prefektit të qarkut për kapërcimin e tyre;
4.Kontrollon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në territorin e juridiksionit të saj, sipas parashikimeve në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit që lidhen me Policinë e Shtetit;

5.Vendos kufizimin e qarkullimit në rrugë jashtë qendrave të banuara, për ditët e festave lokale në bashkëpunim me organet e Policisë Rrugore;
6.Bashkëpunon me Policinë e Shtetit për mbikëqyrjen e sigurisë, brenda territorit të juridiksionit të saj;
7.Bashkërendon masat me Policinë e Shtetit për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike në raste të aktiviteteve, në territorin e juridiksionit të bashkisë;
8.Verifikon zbatimin e ligjshmërisë dhe patrullimin periodik në bashkëpunim me Policinë e Shtetit përgjatë vijës bregdetare publike dhe në zonat çlodhëse të ujërave të brendshme në thellësi të territorit, për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit të juridiksionit të bashkisë;
9.Monitoron respektimin e ndarjes së hapësirës së plazhit gjatë ushtrimit të veprimtarisë të çdo personi juridik apo fizik pranë stacioneve të plazhit në territorin e juridiksionit të bashkisë;

10.Merr masa sigurie në veprimtaritë sportive dhe ndeshjet e futbollit gjatë organizimit dhe zhvillimit të tyre, si personel sigurie;
11.Mbështet strukturat përgjegjëse të bashkisë për strehimin social, për procedurat e zhvendosjes së individëve ose familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre;
12.Merr masa për ruajtjen e objekteve në pronësi të bashkisë, si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.
13.Mbikëqyr respektimin e normave etike detyruese të bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
14.Mbështet organet e inspektimit për zbatimin e legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;

15.Siguron ekzekutimin e sanksioneve për lidhjen dhe zgjidhjen e kontratës së qirasë së banesave sociale me qira dhe kufizimet mbi banesat me kosto të ulët, të vendosura nga entet menaxhuese.
16.Bashkërendon punën me strukturat përkatëse kur konstaton veprimtari të paligjshme për mjedisin, natyrën, pyjet, biodiversitetin dhe florën e faunën e egër;
17.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të kontrollit mbi gjuetinë kur pengohen në kryerjen e detyrës;
18.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të inspektimit që mbulojnë veprimtarinë e peshkimit;
19.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit për mbrojtjen e liqeneve ndërkufitare, brigjeve të tyre, zonave ujëmbledhëse, si dhe veprimtaritë që ushtrohen në to;

20.Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse në rast kundërshtimi të masave gjatë kontrollit për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis.
21.Siguron zbatimin e akteve që përcaktojnë kryerjen e veprimtarive që trajtohen si veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga organet e vetëqeverisjes vendore;
22.Verifikon respektimin e normave ligjore në lidhje me vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;
23.Mbështet strukturat përgjegjëse të taksave dhe tarifave vendore në veprimtarinë e tyre.
24.Policia Bashkiake siguron respektimin e normave ligjore në lidhje me ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik, përfshirë taksitë dhe mjediset e përbashkëta, në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.

25.Siguron zbatimin e rregullave për përdorimin e hapësirës publike, për ndalimin e zënies së hapësirave publike, hedhjen e mbeturinave dhe mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike;
26.Vëren dhe konstaton ndërtimet e kundërligjshme, njofton dhe mbështet menjëherë strukturën përgjegjëse ndërtimore e urbanistike të bashkisë për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave ligjore;
27.Siguron zbatimin e rregullave dhe procedurave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e juridiksionit të bashkisë;
28.Garanton zbatimin e përcaktimeve ligjore mbi afishimin e materialeve propagandistike në vendet jashtë përcaktimeve të bëra, duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore.

Kompetencat aktuale të Policisë Bashkiake

1. Të sigurojë zbatimin efektiv të akteve të nxjerra nga kryetari i bashkisë (komunës) dhe të këshillit që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike.
2. Të marrë masa për ruajtjen e pasurisë së bashkisë apo të komunës si dhe të atyre që administrohen nga ana e saj.

3. Të sigurojë zbatimin e urdhrave të nxjerra nga kryetari i bashkisë (komunës) në lidhje me personat juridikë ose fizikë, që nuk plotësojnë konform ligjit detyrimet financiare e fiskale, ndaj bashkisë apo komunës, si dhe çdo detyrim tjetër pasuror ndaj tyre.
4. Të mbikëqyrë e verifikojë nëse shtetasit në administrim të pasurisë së tyre, zbatojnë ose plotësojnë kërkesat e akteve bashkiake.

5. Të konstatojë e të parandalojë ndotjet e mjedisit, hedhjet e mbeturinave të ndryshme, si dhe të sinjalizojë kryetarin e bashkisë (komunës) për shfaqjet e parazitëve të dëmshëm e të rrezikshëm si dhe për rastet e shfaqjes së epidemive.

6. Të ndalojë, shmangë e prishë ndërtimet e paligjshme, të ndalojë zëniet e paligjshme të trojeve dhe të ndërtesave e objekteve publike të bashkisë apo komunës si dhe të organizojë lirimin e tyre.
7. Të kujdeset për qetësinë publike, duke shmangur zëniet, mënjanuar zhurmat e shkaktuara nga grumbullimet e njerëzve, autoparlantet e radiove e magnetofoneve, rënia pa vend e burive të automjeteve në rrugë, banesa, plazhe e mjedise të tjera publike, që sjellin shqetësime për të tjerët.
8. Të marrë masa për ruajtjen e rendit, kur ka grumbullime njerëzish, si në tregje, panaire, ceremoni publike, artistike, fetare e sportive, në kinema, teatro, pallate e salla sportive, objekte të kultit dhe në mjedise të tjera publike.

9. Të inspektojë respektimin e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e shitblerjes në mjedise publike
10. Të kujdeset për respektimin e orarit të shërbimit të njësive tregtare, bufeve, restoranteve, bilardove, lojrave të fatit e të objekteve të tjera me veprimtari publike, si dhe për zbatimin nga ana e tyre të rregulloreve apo urdhërave të nxjerra nga kryetari i bashkisë apo komunës.

11. Të kontrollojë marrjen e masave të sigurisë që parandalojnë fatkeqësitë e ndryshme natyrore si dhe të ndihmojë në kapërcimin e tyre duke u dhënë gjithashtu ndihmë të dëmtuarve në raste urgjence.
12. Të marrë masa të përkohshme ndaj të sëmurëve psikikë në gjendje të rëndë, që krijojnë shqetësime për rendin publik.

13. Të kujdeset për ruajtjen e afisheve, njoftimeve e shpalljeve publike si dhe heqjen e atyre të paligjshme ose të paautorizuara./reporttv/

Shpërndaje