Pas kritikave të Komisionit të Venecias, qeveria ka ndryshuar draftin për procedurat kalimtare të pronësisë. Ndërsa deklaroi se ndryshimet ligjore do të zgjidhin ngërçin me legalizimet, Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, tha se për qytetarët që nuk do t’u formalizohen banesat, ligji parashikon kompensim ose banesë të re sociale.
“Zgjidhja që gjen ky ligj është sociale që do të thotë që askush që ka një banesë nuk mund të nxirret prej saj pa marrë një shpërblim, qoftë dhe të pjesshëm për banesën e tij. Do të përfitojnë minimalisht nga dy kategori; ose nga banesat sociale ose do të përfshihen në projektet e shpronësimit për interes publik, me nivele të caktuara të kompensimit”, u shpreh kreu i Kadastrës.
Teksa ka cilësuar ndryshimet e shpeshta ligjore si një nga faktorët kryesorë që ka penguar procesin e legalizimit në vend, Lame tha se më ndërhyrjet e reja do të bëhet njëkohësisht edhe regjistrimi i të gjitha pronave bujqësore, të copëzuara nga ligjet e mëparshme.
“1 milion parcela toke, sepse çdo familje ka nga 3 deri në 5 parcela kur e kanë marrë tokën që futen dhe përfitojnë nga ky proces”, shtoi Artan Lame.
Drafti i riformuluar vjen si një përshtatje e të gjitha ligjeve të mëparshme, duke përfshirë në të edhe kompensimin për ish-pronarët, që së bashku me ekspertët e Venecias kontestuan fort draftin fillestar të 2018-ës, që përjashtonte këtë mundësi.