Sistemi “bonusmalus” nuk do të jetë i detyrueshëm por do t’u lihet në dorë kompanive të sigurimit nëse duan ta përfshijnë, apo jo.
Pas një kohe të gjatë diskutimesh dhe variantesh të propozuara, qeveria duket se është tërhequr nga vendosja me detyrim e këtij sistemi, mbi bazën e të cilit diktohen primet e sigurimit të automjeteve.
Në draftin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” përcaktohet që sistemi “bonusmalus” mund të aplikohet, por kjo lihet në vullnetin e lirë të kompanive të sigurimit.
“Shoqëria e sigurimit mund të përfshijë sistemin ‘bonusmalus’ në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe kartonit jeshil”, thuhet në pikën 8 të nenit 7.SISTEMI “BONUSMALUS”
Sistemi “bonus-malus”, sipas ligjit të ri, është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.
“Mundësia për aplikimin e tarifimi me bazë risku nënkupton: rritjen e përgjegjësisë së drejtuesve të automjeteve: ata që shkaktojnë aksidente duhet të paguajnë një prim më të lartë; çmime të ndryshme për risqe të ndryshme; drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkallë më të vogël duhet të paguajnë prime më të ulëta krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm etj.”, vihet në dukje në relacionin që shoqëron draftin.
Pra, qëllimi i sanksionimit të këtij sistemi është nxitja e drejtuesve të mjeteve që të jenë më të përgjegjshëm, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e numrit të aksidenteve. Por lënia e tij në vullnetin e kompanive të sigurimit nuk është garanci për implementimin e tij, sa kohë vetë kompanitë kanë ndryshuar qëndrim, duke kërkuar që të mos aplikohet.
PËR DËMET
Në nenin 25 të projektligjit është përfshirë kufiri minimal i përgjegjësisë si për demin pasuror, ashtu dhe për dëmin jopasuror.
Për çdo person të dëmtuar në aksident, Ministria e Financave në projektligj kufirin e përgjegjësisë e ka caktuar 22 milionë lekë, pothuajse dyfish më pak nga varianti i parashtruar më herët nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Gjithashtu, për dëmet e shkaktuara nga një ngjarje sigurimi, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë dhe në rastin e autobusëve dhe kamionëve, kufiri i dëmit do të jetë 150 milionë lekë.
Në ligjin e ri është përcaktuar që për dëmet deri në 30 mijë lekë palët kanë të drejtën e zgjidhjes me marrëveshje mes tyre.
“Sipas nenit 14, Raporti Europian i Aksidenteve është formulari që së bashku me policën e sigurimit i dorëzohet të siguruarit nga shoqëria e sigurimit.
Drejtuesit e mjeteve të përfshira në një aksident rrugor, për dëmet materiale në vlerë deri në 30.000 lekë, nëse bien dakord, duhet të plotësojnë, të nënshkruajnë dhe të shkëmbejnë Raportin Europian të Aksidenteve, i cili vërteton se ngjarja(aksidenti) ka ndodhur sipas rrethanave, modaliteteve dhe pasojave të pasqyruara në formular.
Në lidhje me të gjitha dëmet në vlerë mbi 30.000 lekë, drejtuesit e mjeteve të përfshirë në një aksident rrugor duhet të marrin procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore”, thuhet në relacion.
Ndërkohë, nëse nuk bien dakord, duhet të marrin procesverbalin e konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore.