Teksa ka shfaqur publikisht ambicien për tu rikthyer në krye të PD, duke u deklaruar si një nga kandidatët në garë, liderit demokrat Berisha ka shpalosur projektin e tij që shqiptarët të mos mbeten më kombi që lind fëmijë për emigracion.
Një arsye madhore që ja forcon bindjen se ai do të ketë sukses në këtë rikthim të tij është dhe merita që ja njeh vetes pa modesti, si personi i vetëm që ka mundur dy herë Edi Ramën.
Sali Berisha: “Berisha 3” është projekt që shqiptarët të mos mbeten më kombi që lind fëmijë për emigracion, të mos jenë më njerëzit që jetojnë në një nga vendet më të pasura me burime natyrore të Europës dhe të punojnë si argatë në tokat e të tjerëve. Në vitet 1992-1997, popullata në Shqipëri nisi të rritej, po ashtu si edhe të ardhurat për frymë. Atëherë u rrit shpresa, ashtu siç u rrit në periudhën 2007-2014. Prandaj, ky është projekt i madh për vendin, për ta integruar Shqipërinë në BE, për ta fuqizuar rolin e saj në NATO. Unë i qëndroj këtij projekti, gjithnjë mbi bazën e vullnetit dhe votës së lirë të shqiptarëve dhe anëtarëve të PD-së. Por, ka dhe një arsye madhore: Sali Berisha është personi i vetëm që ka mundur dy herë Edi Ramën.
Sesi mund ta jetësojë këtë projekt duke qenë “non grata” në SHBA, Berisha thotë se kjo është në dorë të qytetarëve, andaj dhe i drejtohet genit shqiptar për ti bërë një analizë në retrospektivë sjelljes dhe qëndrimeve të tij politike.
Sali Berisha: Në një betejë që e konsideroj të një rëndësie jetike për PD-në dhe vendin, unë i drejtohem genit shqiptar. Cilido që shikon në retrospektivë, unë ky kam qenë në tërësi. Nëse në vitin 1998 unë kisha kundër të gjithë botën, të përfaqësuar nga OSBE, BE, të cilët dërguan një trojkë me mesazhin që unë duhet të largohesha, sepse isha pengesë e madhe për qeverisjen socialiste, atyre u kam dhënë përgjigjen që meritonin. Përpjekjet e mia për rikthimin e atëhershëm, shënojnë një nga sukseset më të pamohueshme në historinë e vendit. Nuk bëra asnjë lobing përveçse të bind shqiptarët. Isha i vendosur që të zbatoja ato vlera që kanë bërë të lira të gjitha kombet. Mbi këtë bazë, nga marrëdhënie pothuajse inekzistente me SHBA-në apo me vende të tjera, u arritën marrëdhënie kulmore. Kjo nuk ndodhi se unë kisha fuqi magjike, por sepse partnerët vlerësuan lart përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, unë qëndroj pas vlerave të cilat i bëjnë shqiptarët më të lirë, të sigurtë dhe të begatë.
Berisha nënvizon se ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka bërë gjithçka që të presë marrëdhëniet me demokratët, që kur u ka servirur atyre barin.
Sali Berisha: Do ta këshilloj guvernatoren Kim, që në rast se dëshiron të ketë komunikim të sinqertë me ta, t’u kërkojë të falur demokratëve për shprehjen e diktatorit mizor Enver Hoxha, që përdori në gusht. Ajo ishte një frazë e mirëmenduar. Ose ajo e ka studiuar Enver Hoxhën, ose në rininë e saj ka patur lidhje me grupe marksiste-leniniste që qarkullonin veprat e autorit. Ajo ishte një përzgjedhje fraze për të ofenduar shqiptarët, të cilët, për shkak të varfërisë ekstreme që shkatoi diktatura e Enver Hoxhës, kanë ngrënë edhe bar në vend të ushqimit.
Deklaratat Berisha i bëri në studion e Debatit në A2 CNN me Alba Alishanin.