Lezhë
Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtjes pa leje të municioneve luftarake dhe lëndëve eksplozive.
Operacioni policor i koduar “Baza”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Lezhë.
Sekuestrohen 6 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kanabis, 930 fishekë, 6 kallëpe lëndë eksplozive C-4, 7 granata difensive, 22 ndezës për granata, 99 kapsolla detonatore, pajisje metalkërkuese, kundërgaz ushtarak, 3 krehra dhe 3 aparate celulare, vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në bashkëpunim me DVP Dibër, në banesën tjetër të këtij shtetasi, në Lurë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë gjysmëautomatike.
Shërbimet e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojmë armë zjarri, lëndë narkotike apo sende të tjera të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. B., 66 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza” Lezhë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 6 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kanabis, 930 fishekë, 6 kallëpe lëndë eksplozive C-4, 7 granata difensive, 22 ndezës për granata, 99 kapsolla detonatore, pajisje metalkërkuese, kundërgaz ushtarak, 3 krehra dhe 3 aparate celulare. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia e Dibrës, në banesën tjetër të këtij shtetasi, në Lurë, është gjetur një armë zjarri pushkë gjysmëautomatike.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të DVP Lezhë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.