Teuta dhe Vllaznia barazuan 1-1 në “Elbasan Arena”. Sfida e javës së 11 në Superligë ka qenë e luftuar, me shkodranët që 57 minuta i kanë zhvilluar me një lojtar më pak pas largimit të Aralica me karton të kuq.
Ndeshja ka nisur me raste për dy skuadrat, që në pjesën e parë mund të gjenin avantazhin. Do duhej minuta e 55 që Gorgiev të kalonte durrsakët në epërsi, vetëm 10 sekonda përpara se të zëvendësohej nga Arapi.
Minutat në vijim, Vllaznia rriti presionin, për të gjetur golin e barazimit me Latifin në minutën e 70. Megjithë rastet e krijuara, skuadrat ndajnë nga një pikë, njëjtë si në ndeshjen e fazës së parë në “Loro Boriçi”.
Pas kësaj jave, Vllaznia renditet e treta me 17 pikë, ndërsa Teuta në vendin e 5 me 14 pikë. Në ndeshjen e parë si trajner, Renato Arapi debuton me një pikë te kampionët e Teutës.
Pas ndeshjes për Gol pas Goli, foli futbollisti më i mirë i sfidës, Liridon Latifi (Vllaznia):
“Vitin e kaluar nuk e kam ndjekur shumë ekipin, këtë vit kemi një grup të mirë. Jemi të bashkuar me njëri-tjetrin. Kemi mundur të ecim dhe më mirë po s’kemi pasur fat. Grupi? Jemi mirë mes nesh, kalojmë kohën bashkë. Kjo është me rëndësi për një skuadër në ecjen përpara. Aralica dhe Da Silva? Kemi një marrëdhënie të mirë mes nesh.
Sjellja në Rrogozhinë? Nuk është në karakterin tim ajo sjellje, kërkova falje. Dola nga vetja, më pas gjithçka u kthye në normalitet.
Skënderbeu i artë që fitoi gjithçka. Te Vllaznia e vështirë? Nuk di çfarë të them. Në atë kohë te Skënderbeu kemi pasur lojtarë me kualitet shumë të lartë, kishim një grup të fortë. Salihi, Shkëmbi, Shehi, janë trajnera tanimë dhe po udhëheqin ekipet. Ajo kohë, nuk e di nëse vjen më.
Mbrojtja? Trajneri duhet të kujdeset për këtë gjë. Në çdo ndeshje jemi duke treguar që jemi stabil, kemi pësuar më pak dhe shpresoj të vijojmë me këtë ritëm.
Kundërshtari më i vështirë? Tirana është ekipi më i rrezikshëm. Kukësi ka marrë pikë të rëndësishme dhe të shohim ku shkon forca e tyre”, tha Latifi.