Lajm i mirë për Vllazninë, Esat Mala zyrtarizohet kuqeblu…

Shpërndaje

Vllaznia vazhdon përgatitjet për ndeshjen e javës së dytë të Superiores së futbollit shqiptar, kur të dielën do të ndeshet me Kukësin në stadiumin “Loro Boriçi”. Pikërisht, tre ditë përpara kësaj sfide, kuqeblutë kanë marrë lajmin e  mirë të federimit të Esat Malës.

I shumëdiskutuari rreth problematikës që paraqiste dokumentacioni i tij duke u bllokuar nga federata turke, në kampionatin e të cilit ai ka luajtur së fundmi, tashmë nuk ka më asnjë pengesë në këtë drejtim. Dy klubet përkatëse kanë qenë dakord më herët, një gjë të tillë e kanë bërë edhe federatat e futbollit të Turqisë dhe Shqipërisë, dhe tashmë Esat Mala është zyrtarisht futbollist i Vllaznisë. Padiskutim që ky është një lajm shumë i mirë për Vllazninë dhe posaçërisht për teknikun Mirel Josa, i cili, siç është shprehur edhe vetë ai, ka qenë preferencë e tij që prizrenasi të bëhej pjesë e kuqebluve. Një preferencë të tillë, Josa e ka pasur edhe për Boshnjakun, të cilin e mori nga Prishtina, me të cilin kanë punuar së bashku, futbollist ky që e justifikoi plotësisht besimim e veshjes së fanelës së Vllaznisë.

Tashmë mbetet për t’u parë rasti Mala, se si do të jetë përformanca e tij në fushën e lojës. Vlerat dhe cilësitë e tij njihen mirë nga skuadra kuqeblu, por edhe opinoni sportiv shkodran, pasi sa ishte pjesë e Partizanit, Mala ka spikatur si ndër më të mirët në fushën e lojës, madje edhe kur përballej me Vllazninë. Një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në përbërje të formacionit kuqeblu duke dhënë kontributin e tij në fitoret e Vllaznisë. Zyrtarisht, Mala mund të luajë që të dielën ndaj Kukësit, por për një gjë të tillë do të vendosë stafi teknik. Vetë trajneri Josa, pak ditë më parë, gjatë një prononcimi mediatik u pat shprehur që Mala nuk është akoma gati. Dhe, këtu e kishte fjalën, jo vetem për mungesën e dokumentacionit të atëhershëm, por edhe në parametrat fizikë.

Por, ditët në vazhdim, përgatitja speciale atletike nën kujdesin e bullgarit, Mihal Tzokov, ka ndikuar dukshëm në rritjen e parametrave të Malës. Ndaj, nuk është çudi që Malën ta shikojmë në fushë që këtë të dielë ndaj Kukësit.

Shpërndaje