LAJM I FUNDIT/ Voltana Ademi zbulon arsyen përse hoqi dorë nga Primaret e 6 Marsit

Shpërndaje

Të dashur bashkëqytetarë,

Të nderuar demokratë,

Bashkëpunëtorë dhe miq të mi,

Prej 7 vitesh vazhdojmë së bashku një rrugëtim, i cili në shumë etapa nuk ka qenë i lehtë. Kur mora përsipër në vitin 2015 kandidimin si kryetare e Bashkisë së Shkodrës, e dija se nuk do të ishte një sfidë e lehtë. Ndarja e re territoriale rriti ndjeshëm numrin e banorëve, sipërfaqen e administrimit por bashkë me to, edhe përgjegjësinë për të bërë më të mirën e mundshme për Shkodrën tonë.

E dija se mbështetja jo vetëm e demokratëve por të gjithë shkodranëve vullnetmirë, nuk do të më mungonte. Në fakt, e kam ndjerë këtë mbështetje në çdo sekondë të punës sime. Kur ngarkesa e punës, problematikat e përditshme shtoheshin dhe kërkonin zgjidhje të shpejtë, shumë herë kam dalë nga zyra dhe jam takuar me njerëzit. Dëshira më është shtuar për të vijuar përpara, për të kapërcyer vështirësi e pengesa, bashkë me njerëzit dhe për njerëzit.

Në këto 7 vite, jam përpjekur të jap maksimumin tim, më të mirën time. Parime të punës sime në administrimin e shtëpisë sonë të përbashkët- Shkodrën, kanë qenë ndershmëria, përkushtimi dhe transparenca. Besoj se pavarësisht vështirësive që na kanë shoqëruar thuajse çdo ditë të punës sonë, edhe unë, edhe ne, të gjithë bashkë, kemi vendosur një tjetër “gur” të rëndësishëm në ecjen tonë përpara, me synim përmirësimin e jetës sonë.

Sot, Shkodra por edhe Shqipëria, janë në një moment kur diskutohen parimet më elementare të funksionimit të një demokracie. Çdo gjë, çdo hallkë e shoqërisë po monopolizohet ose është monopolizuar tashmë nga regjimi në fuqi. Secili prej nesh, edhe nëse nuk e thotë me zë të lartë, e mendon këtë fakt. Po vihet në dyshim edhe ekzistenca e një opozite të vertetë, e domosdoshme për të ruajtuar balancat e funksionimit normal të një shteti, i cili aspiron të jetë pjesë e kombeve të Bashkimit Europian.

Situata është alarmante. Por si për çdo gjë, siç edhe na kanë mësuar këto 7 vite të rrugëtimit tonë të përbashkët, ka një alternativë, ka një zgjidhje. Bashkimi, kundërvënia ndaj të keqes dhe fenomeneve negative që e shoqërojnë atë, duke u bazuar mbi vlerat tona, mbi të ato që na bashkojnë dhe jo tek ato gjëra të pakta, të vockla që për momentin, duket se mund të na ndajnë. Sigurisht, kjo pikë së pari kërkon që të gjithë ne, përpara interesit personal të momentit, dëshirës për të menduar si individ, duhet të mendojmë për Shkodrën, shtëpinë tonë të madhe të bukur. Këtë ia kemi detyrim kujtimit të të parëve tanë, neve por sidomos fëmijëve tanë. Përgjegjësia jonë është të mos mendojmë e punojmë për sot por për të nesërmen, që të jetë më e mirë se e sotmja.

Mbi këto baza e kam ndërtuar aktivitetin tim publik, në të gjitha pozicionet që më janë besuar, jo vetëm në politikë dhe administrimin vendor por edhe në mësimdhënie apo si profesioniste e lirë. Është e vështirë, ka mjaft pengesa por nuk ka rrugë tjetër veçse të ecësh përpara, drejt, duke u mbështetur përveç parimeve, edhe tek njerëzit vullnetmirë të cilët fatmirësisht nuk i kanë munguar e nuk do të mungojnë asnjëherë Shkodrës e Shqipërisë.

Siç jeni të gjithë në dijeni, Presidenti i Republikës ka dekretuar zgjedhje të pjesshme vendore për Bashkinë e Shkodrës. Këto zgjedhje, duhej të ishin bërë në vitin 2019, atëherë kur e përcaktonte Kushtetuta e ligji. Për arsye tashmë të ditura, për përgjegjësi të ushtruara apo të munguara edhe në tejkalim apo shkelje të ligjit, është vendosur që të zhvillohen me 6 mars 2022. Në periudhën zgjedhore maj- prill 2023, do të zhvillohen zgjedhjet e zakonshme vendore në të gjitha bashkitë e vendit. Ndërsa këto zgjedhje të pjesshme vendore, do ti japin Shkodrës siç edhe 6 bashkive të tjera, një drejtues vendor për një vit.

Me 5 janar të këtij viti, ne kemi miratuar buxhetin për vitin 2022, bazuar në prioritetet që vetë banorët e Bashkisë Shkodër kanë përcaktuar si prioritare. Jam shpresëplotë që implementimi i këtij buxheti, do të përmirësojë më shumë jetën tonë, me investime dhe sherbime më cilësore për të gjithë. Jam shumë e kënaqur që si në vitet e tjera, edhe në këtë vit të fundit të atij që mund të quhet “mandati i dytë”, kemi bërë një bashkëshpërndarje cilësore.

Për shkak edhe të prejardhjes sime familjare, prej shumë e shumë vitesh jam pjesë e familjes së madhe të demokratëve, Partisë Demokratike. Nga viti 1990, kam nisur një rrugëtim gradual, me bindjen se është alternativa më e mirë për Shkodrën e shkodranët, Shqipërinë e shqiptarët. Historia e 31 viteve të fundit, i jep të drejtë çdo antari të PD- së të krenohet dhe të gjejë motivim për të ecur përpara, pavarësisht “incidenteve” të momentit. Ndjehem shumë e vlerësuar nga mbështetja që kam marrë e marr në vijimësi nga Partia Demokratike, antarët e saj, kolegët e miqtë e mi brenda familjes sonë politike.

Kjo mbështetje nga demokratët, më shoqëroi edhe në këto ditë. Në procesin e propozimit të kandidaturave për kryetar bashkie për zgjedhjet e 6 mars 2022, jam ndër më të votuarit. Mirënjohja dhe falenderimi janë më e pakta që unë shpreh për të gjithë demokratët e Bashkisë Shkodër, janë motivi që unë të mos ndalem por të eci bashkë me të gjithë drejt një Shkodre e Shqipërie më të mirë për të gjithë.

Unë jam kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës. Për shkak të këtij pozicioni, të pozicioneve të mëparshme publike që më janë besuar por edhe për shkak të angazhimit tim dhjetëravjeçar në Partinë Demokratike, kam vendosur të mos marr pjesë në “primaret” që do të zhvillohen me 30 janar 2022 për përcaktimin e kandidatit për kryetar bashkie në Shkodër. Gjykoj se futem në garë me një avantazh përballë të gjithë kolegëve të tjerë, për arsyet që përmenda më sipër.

Unë jam në mbështetje të çdo demokrati, të strukturave ndaj të cilave unë ndjehem e detyruar për vlerësimin në vijimësi. Voltana Ademi nuk i shmanget asnjë sfide, por brenda familjes sonë politike, duhet të jemi të gjithë të barabartë në mes të barabartëve, të kemi mundësitë dhe hapësirat tona për të dhënë kontribut për PD- në, Shkodrën e Shqipërinë.

Zgjedhjet e zhvilluara këto 31 vite, edhe ato të 25 prill 2022, kanë evidentuar individë me mbështetje të gjërë jo vetëm brenda demokratëve por edhe qytetarisë shkodrane. Zëri, mbështetja dhe vota ime, do të bashkohet me të gjithë demokratët e shkodranët, që me 30 janar 2022, në “primaret” e PD- së, të evidentojmë më të mirët, më të mirin, atë që ka mbështetjen më të gjërë. Është shërbimi më i mirë që i bëjmë Shkodrës, të sotmes e të nesermes. Pas 30 janarit, do të jemi dhe duhet të jemi të gjithë bashkë, një skuadër edhe më e madhe, e fuqishme dhe e bashkuar, për të vazhduar rrugëtimin e pandalshëm për të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët, Shkodrës.

Vetëm të gjithë bashkë fitojmë, vetëm të gjithë bashkë mundim të keqen e madhe që ka kapluar këtë vend, vetëm të gjithë bashkë do ta ndërtojmë të nesermen më të mirë se e sotmja!

Shpërndaje