Bashkia e Tiranës ka paditur në polici kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën për dhunë ndaj recepsionistes në godinën numër katër në qytetin studenti.
Në një njoftim të ndarë për mediat, zyra e shtypit të bashkisë Tiranë njofton se kreu i PD-së së bashku më 4 shoqërues të tij ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës nr 4 në Qytet Studenti.
“Pasditen e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me 4 shoqërues të tij, jo studentë, të pajisur me kamera për shoë-n e radhës, ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës Nr. 4 në Qytetin Studenti.
Bashkia e Tiranës dënon dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë, si këngëtarë tallavaje, dhe dëshiron të informojë qytetarët se ka nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues.
Bashkia e Tiranës sqaron se në mjediset e godinave të Qytetit Studenti mund të hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve, procedurë e cila ndiqet rigorozisht edhe nga familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Lulzim Basha nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Godinën nr.4.”– njofton ndër të tjera bashkia.
Ende janë të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe përplasjes për të cilën ka reaguar Bashkia Tiranës, ndërkohë që pritet një reagim për ngjarjen edhe nga kreu i PD-së.