Ta njohim se kush ka qenë Dijetari i njohur i shekullit Shejkh Albani.
Jeta e Muhamed Nasirudin El-Albanit
Nëpër faqet e shtypit dhe literaturës herë pas herë mund të gjejmë artikuj që flasin për jetën e ndonjë shkencëtari apo poeti perëndimor, por rrallëherë mësojmë mbi njerëzit me famë që ne i kemi dhuruar botës. Një nga personat me famë që ne i kemi dhuruar botës së shekullit të 20-të nuk ka qenë një personalitet që e gjejmë në revista, por ishte një figurë revolucionare, në kuptimin se ripërtëriu traditën pejgamberike në çdo skaj të botës islame.
Ai ishte një shkodran, i cili quhej Muhammed Nasiruddin Albani, i mirënjohur në globin e botës islame si Imam Albani.
Prejardhja e tij: Muhammed Nasiruddin Albani u lind në Shkodër në vitin 1914 (apo 1333 h), ku në atë kohë Shkodra ishte edhe kryeqytet i Shqipërisë.Familja e tij: Babai i tij ishte Haxhi Nuhi Nexhati, kishte mbaruar fakultetin e sheriatit në Stamboll. Në atë kohë ai punonte si Imam në Shkodër, dhe dallohej me dije nga të tjerët sidomos në medh’hebin Hanefi (drejtim juridik fetar). Shqipëria në atë kohë ishte mbretëri dhe sundohej nga Mbreti Ahmet Zogu. Mirëpo, nga maltretimet e shumta që u bëheshin në atë kohë muslimanëve, e posaçërisht hoxhallarëve, Haxhi Nuhit nuk i mbeti rrugëdalje tjetër vetëm se të zgjedh rrugën e emigrimit, nga vendi i tij i dashur Shkodra në një vend tjetër ku mund të praktikonte lirshëm fenë e Allahut. Këtë shpërngulje nuk e kishte bërë vetëm Haxhi Nuhi Nexhati, por kishte edhe familje të tjera që e kishin marrë këtë rrugë. Ata së pari u nisën për në Stamboll, mirëpo aty Haxhi Nuhit nuk i pëlqeu vendi dhe vendosi që të niset për në vendet e Shamit, në kryeqytetin e Sirisë së sotme, për shkak të vlerës së saj që është cekur në hadithe autentike të Pejgamberit tonë.Muhammed Nasiruddin Albani filloi t’i vazhdojë mësimet në shkollën e mesme dhe u dallua nga të tjerët me shkathtësi dhe zgjuarsi në mësime, sidomos në gjuhën arabe, gjë që bëri që arabët ta xhelozonin për këto shkathtësi. Këtë e ka dëshmuar edhe vet ai me gojë të vet kur tregon: ”Një ditë prej ditëve në mësime kur ishte ora e gramatikës arabe, profesori gjithnjë Albanin e pyeste të fundit si nënçmim, sepse ishte i huaj. Njëherë i pyeti të gjithë, por asnjëri nuk u përgjigj nga pyetja e parashtruar, dhe kur i erdhi radha Albanit ai u përgjigj në mënyrën më të mirë ku edhe befasoi profesorin, dhe u tha nxënësve arab se si nuk keni turp që një i huaj si Muhammed Nasiruddin Albani të jetë më i miri ndër ju në klasë”. Gjuhën arabe e kishte obligim ta fliste në rrugë, ndërsa në shtëpi ishte i detyruar nga babai i tij të fliste gjuhën shqipe. Atij iu bë e dashur shkenca e hadithit pejgamberik qysh në rininë e tij, dhe kjo ndodhi kur rastisi në disa artikuj të shejh Muhammed Reshid Ridas në revistën e tij “el-Menar”, e që kishin të bëjnë me kritikën ndaj disa transmetimeve të pasakta që i ka sjellur Ebu Hamid el-Gazali në librin e tij “Ihja Ulumid-Din”. Ai mori ixhaze në hadith nga hoxhë Muhammed Ragib et-Tabbah –historian i Halebit dhe muhaddith.
Albani filloi të shkruaj vepra të ndryshme shumë herët dhe nuk u ndal nga kjo deri në kohën kur vdiq, në moshën tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Me kalimin e kohës filloi të ringjallë thirrjen e të parëve tanë të mirë, thirrje në Kur’an dhe Sunnet me kuptim të Sahabëve (shokëve të Pejgamberit). Ai ligjëronte në vende të ndryshme ku me këtë edhe filluan problemet dhe kundërshtimet nga ana e Sufive dhe fanatikëve medh’hebor. Përveç tjerash, ai pati probleme edhe me autoritetet e atëhershme qeveritare ku edhe u burgos për çështje të ligjërimit. Është me rëndësi të cekim se ai u burgos në të njëjtin burg ku ishte burgosur Hoxha i Islamit, Ibën Tejmijje, dhe citohet tek historianët islam se kur Ibën Tejmijje kishte qenë në burg kishte arritur me thirrjen e tij që të tubojë të burgosurit që të falin namazet me xhematë, përfshirë edhe namazin e Xhumasë. Pas vdekjes së Ibën Tejmijjes kjo traditë ishte ndërprerë për shekuj të tërë, derisa këtë e ringjalli ringjallësi tjetër i sunnetit me origjinë shqiptare, Imam Albani.
Përveç thirrjes nëpër xhamia Imam Albani kishte edhe mësime private me nxënësit e tij, prej tyre kishte arsimtarë që kishin dëshirë ta njohin rrugën e vërtetë të Muhamedit alejhi selam, që ishte të kapurit për Kur’an dhe Sunnet me kuptim të Sahabëve. Këto njohuri të tij të bereqetshme ishin nga leximi dhe puna e palodhur e tij prej 8 deri 12 orë në ditë, në bibliotekën Edh-Dhahirije në Damask. Sa që një ditë prej ditësh studentët u ankuan tek drejtori i bibliotekës se nuk kanë vend të mjaftueshëm për mësime, ngase Albani po e bllokon një tavolinë me katër ulëse, për shkak se e mbushte përplot me libra. Atij pastaj iu lejua nga drejtori i bibliotekës së Damaskut që të ketë në shërbim një dhomë të posaçme që të punon në lëmin e hadithit dhe çështja tjera. Ai më pas punësohet si profesor në Universitetin e Damaskut, për një kohë të shkurtë si mësimdhënës, kurse më pas i vjen ftesa për mësim në Universitetin Islamik të qytetit pejgamberik Medinës.
Albani për nga natyrshmëria ishte shumë modest, ai dhe studentët ishin si shokë në mes vete, kurrë nuk kishte pushuar gjatë pushimit të mes orëve, por gjithnjë kishte pyetje dhe përgjigje nga studentët të cilët interesoheshin për çështje të ndryshme, dhe u thoshte se ky është mësimi më i vërtetë, d.m.th: shpjegim jashtë orarit të mësimit. Atë nuk e linin të pushonte as pas kryerjes së mësimit, ku që nga dalja e universitetit e deri tek Xhamia e Pejgamberit ecte në këmbë me ta duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, e që ishte një distancë e madhe ecje në këmbë. Bota intelektuale duke e parë dhe kuptuar njohuritë e tij e ftuan si mësimdhënës në universitete të ndryshme, por shumicën e tyre i refuzoi për shkak të punës së madhe të tij me libra.
Ndër të tjera ai fitoi çmimin më të lartë në punën e Hadithit dhe u shpërblye për këtë punë ku edhe mori një shumë të madhe të parave nga mbretëria e Arabisë Saudite. Imam Albani në pleqërinë e tij u dobësua nga shëndeti, mirëpo, përkundër moshës së vjetër ai përsëri nuk është ndalur kurrë nga punimet e tija shkencore në lëmin e hadithit, sa që tregon djali i tij se edhe i sëmurë nuk është ndalur nga leximi e shkrimi.
Gjithnjë kërkonte nga djali i tij duke i thënë:” afroma këtë libër e atë libër, lexo këtu e lexo aty, shkruaj këtë e shkruaj atë”. Nga kjo shohim se me të vërtetë ishte i sinqertë në punën e vet dhe dëshiroi që amanetin e tij ta bart në vend me plot përgjegjësi ashtu siç ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i tij, Muhamedi alejhi selam. Sëmundja filloj ta dobësonte shëndetin e tij dhe më datën 10-02-1999 ditë e shtunë në spitalin e Ammanit “Shmisan” në kohën e akshamit ndërroi jetë Muhadithi i këtij shekullit Imami i sunnetit Muhamed NasirudDin Albani, Allahu e shpërbleftë me xhennetin Firdeus!
Varrimi i tij: Varrimi u bë të shtunën pas Faljes së namazit të Jacisë. Namazi iu fal me nëntë tekbire. Edhe pse nuk ishte shpallur vdekja e tij, në namazin e xhenazes kishin marrë pjesë mbi 5000 njerëz. Dijetari i njohur, Muhammed Salih el Uthejmini, kur dëgjoi për vdekjen e Imam Albanit, bëri thirrje në shtëpinë e Imam Albanit që të njoftohet për varrimin e tij, përgjigjja ishte, se Imam Albani u varros dje, shumë pak pas vdekjes. Shejh Uthejmini tha: “Elhamdulilah, e tërë jeta e tij ishte në ringjallje të Sunnetit, e Allahu ia mundësoi që edhe vdekja e tij të jetë në ringjallje të Sunnetit”, d.m.th: shpejtimi i varrimit.
Librat dhe punimet e shkruara: Bota islame është dëshmitare e këtyre shkrimeve dhe punimeve, dhe vetëm një vështrim i vogël në veprimtarinë e tij do të na bëjë të qartë se ku ka arritur dituria e pastër e Imam Albanit. Por, nëse dëshiron të sigurohesh për këtë, atëherë udhëto në çdo pjesë të tokës dhe do ta shohësh se Imam Albani është prezent në çdo librari, aty sheh librat e tij që kanë kapluar të gjitha raftet e librarive, sa që për të është thënë: “Ai, Imam Albani, i ka ofruar Islamit një bibliotekë të pasur, të cilën as shtetet apo institucionet e tyre nuk e përgatisin dot”! Kushdo që shkruan në shkencën e hadithit në këtë kohë, përfiton prej librave të tij, madje nuk bën dot pa to! Sa që edhe nëpër universitet arabe islame, kur të flitet për hadithet pejgamberike është e pamundur që mos të ceket edhe vendimi i Albanit rreth atyre haditheve. Atë e nxori Allahu nga zemra e Evropës –Shqipëria- dhe e vendosi në bibliotekën Dhahirije, e cila ishte biblioteka më e mirë në vendet e lindjes, ku qëndroi për vite me radhë duke ofruar për ne gjithë këtë mund të madh! Ky dijetar ka lënë pas veti mbi 200 vepra, disa në volume e disa në fleta, prej tyre janë botuar 70 sosh.
Prej më të njohurave dhe më të rëndësishmeve janë: 1-“Vargu i haditheve të sakta” në shtatë volume, 2-“Vargu i haditheve të pasakta” në katërmbëdhjetë volume, 3-“Irvaul-galil” në tetë volume, 4-“Muhtesaru Sahihul-Buhari” në katër volume, 5-“Përmbledhja e fetvave dhe ligjëratave të tij” në më shumë se tridhjetë volume, dhe shumë të tjera. Një prej punëve të mëdha që ka përfunduar ky dijetar është kujdesi i tij i veçantë me “Katër Përmbledhjet e mëdha të Sunneve”, të cilat konsiderohen prej librave bazë më të rëndësishëm të Islamit, si Suneni i Nesaiut,Ebu Davudit, Tirmidhiut dhe Ibën Maxhes; të cilat i ka klasifikuar në hadithe autentike dhe jo autentike. Disa nga punimet e këtij imami, janë të përkthyera edhe në gjuhen shqipe, edhe pse literatura shqipe në krahasim me veprat e tij të shumta është shumë e varfër, me shpresë që në një të ardhme të shpejt të pasurohet edhe kjo mangësi e jona.
Prej veprave të tija të përshtatura në gjuhën tonë shqipe janë: “Forma e Namazit”, “Mbulesa”, “Namazi i teravive”, “Dexhalli”, “Xhenazja, ritet dhe bidatet”, “Bidatet e Xhumas”, “Rregullat e fejesës dhe martesës”, “Paralajmërimi i Falësit…dhe të tjera.
Imam Albani mbeti thirrës në Allahun e Lartësuar me mendjehollësi, gjatë tërë jetës së tij. Thirrja e tij qe bazuar në metodologjinë “Pastrim dhe edukim”, metodë e të gjithë pejgamberëve. Ajo qe ndërtuar në dituri dhe kultivim, si një mësues bujar dhe edukator besnik. Ai u mësoi të tjerëve edhe shumë gjëra me metodologji, pozitë, sjellje, moral dhe karakter të lartë dhe me zemërbutësi.
Çfarë thanë dijetarët tjerë për Imam Albanin:
1-Bin Bazi, rahimehullah (ish-myftiu i Arabisë Saudite): “Në këtë kohë, nuk kam parë nën këtë qiell dijetar të hadithit sikur Alamet Muhammed NasirudDin Albanin”.
Poashtu ka thënë: “Nuk njoh njeri më të dijshëm në kupolën e orbitit se Shejh Nasiri”.
Dhe është pyetur Bin Bazi për hadithin pejgamberik: “Vërtetë Allahu këtij ummeti në krye të çdo njëqind vjetëve ia dërgon dikë që ia ripërtërinë atij fenë”, Kush është ripërtëritësi i këtij shekulli? Bin Bazi u përgjigj: “Sipas mendimit tim, hoxhë Muhammed NasirudDin Albani është ripërtëritësi i këtij shekulli, Allahu e di më së miri”.
2-Kurse Fekihu i madh, el-Uthejmin, rahimehullah, ka thënë: “Albani rahimehullah, është një prej dijetarëve të Sunnetit, mbrojtës i tij, prijës në hadith, dhe për kohën tonë nuk dimë që dikush ia del atij, mirëpo, disa njerëz –Allahu na ruajt-, që në zemrat e tyre kanë zili, kur shohin dikë se pranohet nga të gjithë, nga zilia flasin keq për të, ashtu siç veprojnë mynafikët, të cilët tallen me besimtarët që japin lëmoshë vullnetarisht..”.
Dhe ka thënë: “Njeri me horizont të gjerë, studiues i madh, bindës i madh në debate”.
Dhe ka thënë: “Shumë i kujdesshëm në praktikimin e Sunnetit dhe luftimin e bidatit, qoftë në besim apo në vepra.”
3-Kurse Ministri për çështje islame dhe vakëf i Arabisë Saudite, Shejh Salih Alu Shejh ka thënë: “Nuk ka dyshim se vdekja e Dijetarit të madh, Shejh NasirudDin Albanit, është një fatkeqësi, sepse ai është një kolos prej kolosëve të ummetit, dhe muhaddithi i tij, dhe Allahu i lartëmadhëruar me ta e ka ruajtur këtë fe, dhe me ta e ka përhapur sunnetin”.
Përgatiti: Qendra për veprimtari kulturore” Imam Albani ” – dega Gjilan