Kush është Zef Mazi? Kryenegociatori i Shqipërisë për antarsimin në BE, ish-kandidat për president

Shpërndaje

Zef Mazi është personi i zgjedhur sot si kryenegociatori i Shqipërisë në Bruksel për anëtarësimin në BE.

Po kush është ai? Zef Mazi ka lindur më 27 janar 1956, në Tiranë.

Ai është ish-diplomat shqiptar i karrierës i cili, që nga viti 2011, shërben si Asistent Special për Strategjinë e Drejtorit të Përgjithshëm te Agjencinë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike.

Në këtë funksion ai ka qenë i ngarkuar për formulimin, planifikimin dhe zbatimin e strategjisë për të gjithë Agjencinë, si dhe për menaxhimin e risqeve dhe të dijeve.

Ndërkohë Mazi ka qenë Ambasador i Republikës të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe në Republikën e Irlandës (2007-2011). Para kësaj, Zef Mazi ka qenë Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEA), në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë (OSBE), në Organizatën për Zhvillimin Industrial të Kombeve të Bashkuara (UNIDO), në Organizatën për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore (1992-1997 dhe 2002-2007, respektivisht). Ai ka qenë kryetar i Forumit për Bashkëpunim për çështjet e Sigurisë së OSBE (2003), dhe ka shërbyer edhe në Sekretariatin e OSBE-së dhe të ANEA-s (1998-2002).

Zef Mazi ka qenë kryetar në Detyrë Misioni në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Austri dhe në Konfederatën Zvicerane (1991-1992). Para kësaj, ai ka shërbyer në Departamentin e Bashkëpunimit Shumëpalësh të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, i ngarkuar për KSBE-në, si dhe anëtar i delegacionit të përhershëm të Shqipërisë në negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë (1989-1991).

Zef Mazi ka shërbyer edhe si shef i zyrës së marrëdhënieve me jashtë të Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-së (1987-1989), si dhe përkthyes/editor në Shtëpi Botuese dhe, në të njëjtën kohë, lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës (1978-1988) dhe folës ne Radio Tirana Shërbimi në gjuhë të huaja (1975-1985).

Zef Mazi ka qenë kandidat për president në zgjedhjet presidenciale në Shqipëri (2002), si dhe kandidati zyrtar i Shqipërisë për postin e Sekretariat të Përgjithshëm të OSBE-se (2005).

Shpërndaje