“Kurthi” shkatërron trafikun e marijuanës nga Shqipëria/ 24 të arrestuar në Mal të Zi, sekuestrohen drogë, armë, skaf…

Policia malazeze ka arrestuar 24 persona të cilët akuzohen si organizatorë dhe anëtarë të një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha marijuane nga Shqipëria përmes territorit të Malit të Zi, në vendet e rajonit dhe më tej në vendet e Bashkimit Europian.

“Në hetimin e deritanishëm, duke prerë rrugët e kontrabandës të përdorura nga anëtarët e këtij grupi kriminal në 11 konfiskime individuale, u gjet dhe sekuestrua gjysmë ton marijuanë. I njëjti grup akuzohet për kontrabandë të dy ton e gjysmë marijuanë, “thuhet në deklaratën e policisë malazeze.

Gjatë kontrollit, u gjetën dhe konfiskuan pesë automjete, një skaf, një pistoletë, një pushkë gjuetie,  një peshore për matje precize, para, disa telefona dhe karta SIM.

Operacioni i koduar “Kurth” është rezultat i një hetimi 10 mujor nga policia në bashkëpunim me prokurorinë si dhe me shërbimet e partnerëve ndërkombëtarë.

Në operacion morën pjesë 180 oficerë polici. U ushtruan kontrolle në 30 lokacione.

“U privuan nga liria: S.U, A.K, I.LJ., M.R, D.K, B.I, A.M, I.K, D.D, S. EN, N.V, M.K, P.K, të gjithë nga Ulqini, si dhe I.P, B.P, T.P, R.K, S.V, S.M, P.D nga Nikshiq, R.P nga Podgorica dhe N.V nga Tivari ”,  thuhet në njoftim.

Më herët, në nëntor të këtij viti u kapën 2.6 ton kanabis në një kamion në Podgoricë.Kamioni u ngarkua në një magazinë në Lushnje.

Për këtë u arrestuan Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku të cilët për policinë janë persona të përfshirë drejtpërdrejtë në trafikun e drogës dhe për këtë sipas uniformave blu ka prova të shumta, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.