Kurbin, gati për vrasje, policia parandalon ngjarjen e rëndë kriminale, sekuestrohet 1 snajper me fishekë në fole…

Shpërndaje

Policia e Kurbinit bëri të ditur se ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, falë inteligjencës policore dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë.

Një person i armatosur me snajper me fishekë në fole, ka qenë gati për të kryer një vrasje, por ai ka rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë në pikën e kontrollit.

Pas ndalimit të makinës për kontroll 23- vjeçari është larguar me shpejtësi, por policia ka arritur të verë në pranga njëri nga bashkëpunëtorët e tij, si dhe të shpallë në kërkim një tjetër, i cili dyshohet se kishte  siguruar kushtet dhe mjetet për kryerjen e  vrasjeje.

Si rezultat i këtij operacioni është sekuestruar 1 armë zjarri snajper me precizion të lartë me fishekë në fole gati për qitje dhe një çantë me fishekë për këtë armë.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, për të zbardhur ngjarjet kriminale të ndodhura së fundi dhe për të parandaluar ngjarje të tjera të mundshme kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, duke vlerësuar edhe informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Në mesnatë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Fushë Kuqes”, Kurbin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohet se po qarkullonte shtetasi që do të kryente vrasje.  Drejtuesi i automjetit, shtetasi O. H., sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka rritur shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe në fshatin Gurëz ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri snajper me precizion të lartë, me një krehër me fishekë në të dhe një çantë me fishekë të tjerë për këtë armë.”, njofton policia.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për këtë rast, u vu në pranga shtetasi edhe M. D., 21 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gj. M., 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, të dyshuar si bashkëpunëtorë të shtetasit O. H., 23 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin (i shpallur në kërkim), për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Forcat e Sigurisë Kombëtare, ato të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin vijojnë kontrollin e zonës, për kapjen e shtetasve O. H. dhe Gj. M., si dhe vijon puna hetimore në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Shpërndaje