Nga Sami Repishti
Sami Repishti: – “Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Gjatë viteve ’30 dhe ’40-të të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Në krye të kolones, nji punëtor e nji polic fashist mbetën të vrame. Ishte pagëzimi i gjakut! Me akte të këtilla, policia fashiste vuloste ballafaqimin me rezistencën tonë, përgatiste terrenin për të paevitueshmen: luftën e armatosun. Liria kombëtare u pasunue me dëshmorë të rij, kujtimi i të cilëve, do të lindte legjionet e heronjve. Në shtëpi, baba më pyeti për demonstratën e më qortoi për mënyrën e pakujdesshme të punës dhe rrezikun e madh që përballojshim. Unë u revoltova për të parën herë, kundër prindit që dojsha aq shumë. Si i ri, isha i bindun se sakrifica ishte ushqimi i lirisë. Në atë çast ekzaltimi, autoriteti pothuajse i padiskutueshëm i babës, pësoi nji të çame që nuk u mbyll përsëri plotësisht. Ai më shikoi me habitje e dëshpërim të qartë, sikur të ishte sulmue papritmas, i papërgatitun, e mbasi vrejti me kujdes gjestet e mia e humbi çdo shpresë se unë do të kërkojsha të falun, filloi të ndryshojë ngjyrë.
Nga sytë u rrokullisën dy pika lot mbi mollëzat e faqeve, që tregojshin tashma shenjat e moshës së kalueme e lodhjes. Pa lëvizë nga vendi: -“Biri im, – më tha, – mos harro se jam prind”! Asnji fjalë tjetër nuk do të kishte pasë efektin magjik të kësaj shprehjeje, kaq të vërtetë e kaq të thjeshtë njëkohësisht
. U hodha në parzmin e tij. Ai më përqafoi. At e bir kuptuem mirë se, në të ardhmen, unë do të isha ma i lirë e i pavarun në aktet e mia e njëkohësisht, nuk do të harrojsha zemrën e atit tim, çerdhen ma të sigurt për strehim në ditët ma të vështira. Kisha nji nevojë të madhe me shpërthye! Nuk dëshirojsha me u ushqye me shpresa ma gjatë, as me besue në mbretninë e qiellit, që pret të gjithë “njerëzit e mirë”. Revoltimi vuni para meje nji botë që premtonte plotësimin e dëshirave tona këtu, mbi këtë tokë, shënonte me gisht rrugën që duhej ndjekë, e jepte sinjalin; “Përpara për sulm!” Unë u nisa. Ajo që do të vinte ma vonë, nuk dihej. Kësaj rradhe, nuk dëshirojsha me mendue!
Mbledhje ilegale. Para portës së shtëpisë së caktueme, nji burrë bante roje. Kaluem pa ba fjalë, nji nga nji, çdo dy minuta. Tue gjykue nga masat e sigurimit, kuptova se ishte nji mbledhje jo e zakonshme. Në dhomën e vogël e gjysëm të errët të nji shtëpie përdhese, gjeta tre shokë. Ma vonë erdhën të tjerët. Pashë fytyra të panjohuna. Pa pritë, dera u hap. Dy burra, qartas “ilegale”, hynë brenda me vrull. “Shokë! Vdekje fashizmit”!, thanë tue ngritë grushtin. I pari ishte nji djalosh mesatar, me dy sy plot jetë, me syza, me gjeste shumë energjike dhe me nji buzëqeshje të ambël. U ngritëm në kambë. I dyti nuk foli fare. Duket se ishte roja. Pa shumë formalitete, u ulëm rreth tryezës. I ardhuni na shikoi me vërejtje të gjithëve, vuni mbi tryezë dy bomba dorë e nji revolver, e nxori nga çanta nji pakete letrash plot shënime. Të gjithë heshtëm. Jashtë shtëpisë ndigjoheshin hapat e rregullt të rojës. Kësaj radhe, po jetojsha atmosferën e nji veprimtarie të rrezikshme. “Shokë”, filloi ai me nji ton urdhnues, por me za të ulët. “Siç e kemi zakon ne komunistët, duhet të caktojmë rendin e ditës, të mbajmë referatet përkatëse, e të fillojmë diskutimet”.
Fjala “komunist”, më gjeti të papërgatitun. E ndërpreva: – Me leje, shok! – Fol! – më urdhnoi. – Asht kjo nji mbledhje e komunistëve? – Po! – përgjegji i ardhuni. – Nuk e dije? – Jo. – i thashë. Ai u shqetësue, e me nji za të egër kërkoi: – Të ngrihet në këmbë shoku që e ka sjellë këtu! Njeni nga shokët e mi, u ngrit me hezitim. – I ke treguar shokut që kjo është mbledhje komunistësh? – Jo, shok. – Ke bërë shumë gabim, shok! – E tue u kthye kah unë, shtoi: – Po të duash, mund të shkosh. – Po, – u përgjigja, – dua të shkoj! Pa tjetër shkëmbim fjalësh, u ngrita, nuk përshëndeta njeri e dola nga dhoma. Roja më shoqnoi deri në portën e jashtme, me porosi të preme: “Je i ndaluem të flasësh për këtë takim. E kupton?” – Po, – i thashë, – e kuptoj. Kisha mbajt kontaktin me shokët e klasës, zhvillue bisedime me karakter politik, ndjekë me besnikëri çdo mbledhje, marrë pjesë në demonstrata të përgjakshme, e propogandue me bindje të plotë, drejtësinë e kauzës sonë. Gjatë këtyre tre vjetëve, kisha shqetesue familjen me nji qëndrim pak libertin dhe nuk kisha hezitue edhe me gënjye prindët, tue mshehë veprimtarinë time. Por asnjëherë nuk vuna në dyshim drejtësinë e aktit tim.
“Ideali” e ban njeriun fanatik. Bajsha jetë spartane, nuk shpenzojsha e shkelmojsha me përbuzje, çdo dëfrim. Gjithçka për kauzën! Gjatë gjithë kësaj kohe, nji dalldisje më kishte prue në nji gjendje ekzaltimi. Frymëzue nga fjalime të nxehta nga leximi i broshurave ngacmuese, kisha formue bindjen, se detyra ime morale, ishte pjesëmarrja në “revolucionin” çlirimtar. Emocioni, kjo ndjenjë çuditënisht e fortë, më kishte mobilizue plotësisht. Mosha ime e re ndihmoi mjaft në këtë drejtim, e objektet e tregueme me gisht si simbole të pushtimit, shtypjes, e mjerimit, ishin të shumta tek ne. Në kulmin e kësaj dehjeje ideologjike, fillova të ndiej brenda vetes, zanin e logjikës. Përbrenda, diçka që nuk kuptojsha, më krijonte ndjenjën e shqetësimit. Përkrah grupeve tona të agjitacionit politik, grupe të tjera ma të fuqishme e me të tjera detyra, kryejshin akte dhune. Kur rastet sporadike filluen me u shpeshtue, ata u banë objekti i bisedave të përditshme. Fillova të pyes veten: “Cila ishte rruga jonë”? As unë vetë nuk e dijsha! Për sa kohë që nuk mendojsha se, gjithçka ecte përpara pa pengesë. Tashti, nga fara e dyshimit, lindte nevoja e madhe me mendue. Fillova me kuptue se ajo që flas, rrëzon pa mendue, e shemb të vjetrën, pa gjet nji të re të pranueshme me e zëvendësue…! Krijimi i botës së re “pa shfrytëzues e të shfrytëzuem”, më tërhiqte si magnet i parezisteueshëm.
Megjithatë, kisha fillue me dyshue! Predikimet kambëngulëse e leximet indoktrinuese, kultivojshin dhunën, përjashtojshin thelbin e natyrës njerëzore, dashurinë për krijesën. Kisha fillue me dyshue! Në ditët e kësaj gjendjeje dyshimi, u mbajt nji mbledhje e gjanë e grupit tonë. Kësaj radhe, diskutimet hynë në nji larmi të re e të panjohur. Frazeologji e shprehje të reja u përdorën me kujdes, por me insistim. Aty ndigjova për “luftën çlirimtare të popujve kundër diktaturave fashiste në Europë” dhe për fitoren që garantonte “koalicioni i madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan”. Për çudinë time, nuk u fol për heroizmin e popullit anglez që rezistoi, i vetëm, kundër kërcënimit nazist, e që u ba burim frymëzimi për të gjithë ne, as për bashkëpunimin sovjeto-nazist që na dëshproi aq shumë, as për potencialin e madh industrial e luftarak të Amerikës, ku mbështetej ato ditë shpresa e popujve të shtypun. Aty u theksue, lufta e “vëllezërve tanë jugosllavë”, nën udhëheqjen gjeniale të “shokut Tito”, si dhe “rezistenca heroike e Bashkimit Sovietik”, nën “udhëheqjen gjeniale të strategut botëror, shokut Stalin”. Të gjitha këto, u paraqitën me nji aftësi retorikë të rrallë nga një i ri, që nuk ishte student i shkollës sonë, e që shprehte mendimet e veta me nji mjeshtri e vendosmëri, që të bajshin për vete.
Djaloshi vazhdoi: “… Shokë! Detyra që na shtrohet sot, është më e madhe se asnjëherë, ma e rëndësishme se kurrë ma parë. Fashizmi rrezikon seriozisht ekzistencën e Bashkimit Sovjetik, atdheut të madh të socializmit dhe proletariatit ndërkombëtar. Detyra jonë, e komunistëve, është të tregohemi solidarë me vëllezërit sovjetikë, e të hidhemi në luftë pa rezerva kundër fashizmit, duke gozhduar këtu, në vendin tonë, sa më shumë ushtarë të armikut…”! Me shqiptimin e fjalës “komunist”, atmosfera filloi të ndryshojë. Unë hodha vështrimin kah “shokët komunistë”, po ata qëndrojshin të heshtun, si statuja të gjalla që i bante disi komike. Disa të tjerë, të papërgatitun ma parë, u gjetën në pozitë të keqe. Por asnjëri nuk u largue nga dhoma. “Djaloshi” vazhdoi: “… Le të digjet flakë çdo pëllëmbë e tokës sonë, nën kambët e okupatorit. Duhet të krijojmë grupe sulmi, kudo, në çdo hap e në çdo kohë, duhet t’i sjellim sa më shumë dëm makinës ushtarake të armikut. Kjo është detyra jonë, dhe është detyrë urgjente…”! Të gjithë ndigjojshim me vëmendje. Ai vazhdoi: “… Shokë! Objektivi jonë duhet arritur pa tjetër: fitorja finale në luftën tonë. Dhe në këtë luftë, asgjë nuk justifikon humbjen; gjithçka është e lejuar për fitoren…”! Gjithçka ideologjike; asgjë shqiptare, e afërt me jetët tona! Shumica jonë ishte mpi nga efekti i fjalëvet të tij, nga frazeologjia e tij e studiueme, dhe nga elementët e rij që pruni në mesin tonë.
Pak nga pak, në brendinë tonë, filloi nji ndjenjë pasigurie që përforconte dyshimin tone përherë në rritje. Kishte diçka brenda meje që thoshte: Jo! Kjo luftë për liri që trumbetohej me kaq energji, kërkonte njëkohësisht rrënjosjen e thellimin e nji ndjesie qe nuk më dukej njerëzore, atë të urrejtjes. Që në ditët e para, “ata” hodhën farën në mendjet tona, e ushqyen atë me aftësi dhe e kultivuen. Tashti kërkojshin me korrë frytet e saj: bota që përgatitej sot me urrejtje, nesër do të ishte e pandame nga ajo. Rruga që na këshillohej kishte vetëm nji drejtim: me besue në kauzën e re pa kondita, në “nji bote të lirë, të drejtë, e të lumtun për të gjithë”. Qartazi, mbas agresionit nazist kundër Bashkimit Sovjetik, lufta për mbrojtjen e “atdheut të socializmit”, ishte përparësi e dorës së parë! Ajo që ndigjojsha në këtë mbledhje nuk pranohej prej meje, pa u gjykue e peshue. Efektit të nji propagandë shkatërrimtare që më kishte lëkundë, sa këndej, sa andej për afër tri vjet me radhë, po i vinte fundi. Po bëhej e qartë se, nji propagandë që më kishte transformue në nji tjetër njeri, e në kundërshtim me natyrën time të vërtetë, më kishte aktivizue me fol atë që nuk mendojsha, me veprue ashtu si nuk dëshirojsha, me mbrojt parime që nuk isha i përgatitun me pranue. Nji kundërveprim i menjëhershëm, i shpejtë, i fuqishëm, lindi në mendjen time. Brenda në parzëm, nji zjarr u ndez papritmas, e nji za, sikur më urdhëronte: Ndal! Ishte zani i ndërgjegjes sime të zgjueme.
Kur folësi mbaroi me fjalët: “Shokë! Ka ndonjë pyetje”? unë ngrita dorën e, pa muejtë me u përmbajt, i thashë me za te plotë: “Shokë! Unë nuk jam komunist”. Ai heshti! Nuk kuptova nëse ishte efekti i fjalës sime, apo mungesa e taktit që përdora, që i bani të gjithë të sjellin sytë kah unë. U ngrita, vuna duart mbi tryezë e u hodha nji shikim shokëve të klasës. Kuptova menjëherë se, asnjeni nuk e priste sjelljen time. Ata kishin ulë sytë, e në heshtje pritshin që folësi të dilte nga kjo situatë e vështirë. Prova e fundit e nënshtrimit të tyne të verbët, ishte tashmë e qartë. Përshëndeta me kokë ftohtësish. Disa minuta ma vonë, ecsha mendueshëm drejt shtëpisë. Isha në nji situatë tejet të vështirë. Diçka më kishte zanë grykën nga nervozizmi. Ajo që bluejsha në kokën time për sa kohë, kërkonte me dalë përjashta e përnjëherësh. Ndjeva se nuk isha në gjendje me kontrollue veten, por ajo që më frikësonte, ishte dyshimi në aftësinë time, me tregue atë që ndiejsha e mendojsha. Heshtja e të gjithëve, tue përfshi edhe kolegët jo komuniste, e vështirësoi edhe ma shumë këtë situatë. “Unë nuk mund të jem komunist!”, thashë me vete. Sinqerisht, ajo që ndigjojsha nuk më frymëzonte ma. Thirrjet e vazhdueshme për revolucion, përgatitja shpirtërore për luftë, kërkesat me shkelmue çdo gja rreth nesh “me shkatërrue të vjetrën“, me nji mospërfillje të plotë për traditën e vendit, përbuzja e çdo gjëje që pengonte “fitoren“, tingëllojshin si daulle pa ritëm, tinguj të stonuem, zhurmë, vetëm zhurmë, por e rrezikshme.
Kuptova që nuk muejsha me hedhë poshtë natyrën time, fisnikërin e mendimit e të ndjenjave të mia si i ri, e ta zëvendësojsha këtë natyrë, me “premtime“ që më frikësojshin për vete natyrën e tyne të dyshimtë. Kuptova që nuk mund t’i nënshtrohesha verbërisht nji bashkësie që premtonte “liri” të regjimentueme e “pavarësi” të kontrollueme. Nuk mund të pranojsha nji shoqni që premtonte dhunë e urrejtje, nji shoqni që nëpërkëmbte parimet morale që ishin bazë e nji qytetnimi tremijëvjecar, në emën të nji lufte të pamëshirshme që kërkonte me themelue mirëqenien njerëzore, mbi gjakun e viktimave të sakrifikueme në altarin e Zotit, “të luftës kundër fashizmit”. Me gjithë respektin që kisha për mendjet fisnike që gjatë shekujve u përpoqën me gjetë zgjidhje për problemet që mundojnë njeriun, nuk muejsha me pranue “ideale” që realizoheshin me mjete dhune, e që shërbeheshin nga militantë të brumosun me urrejtje. Atë mbrëmje, jetova me kujtimin e ngjarjeve që u treguen vendimtare për mue. Mbasi gjeta guximin e mjaftueshëm me thanë haptas para shokëve përfundimet që arrita mbas nji kohe të gjatë dyshimi, shijova nji ndjenjë të madhe lehtësimi.
Isha i liruem nga pesha e kontradiktave që më ndoqën kamba-kambës. Sikur ishte zgjidhe lamshi, entuziazmi që hopa-hopa më ngrinte mbi arsyen, kishte marrë nji grusht të fortë, sikur vargu i arsyetimeve që më thirrëshin të kthehem në brendinë e natyrës sime, kishte dalë fitues. Kisha përshtypjen se tashti nuk kishte pengesë në përpjekjet për ndërtimin e banesës sime të re. Para meje shtrihej hapsina e pafund e lamijeve të spekulimit, ku mendimi asht i lirë me fluturue. Dëshirojsha shkatërrimin copë e grime të idhujve të krijuem e të bindjeve të pranueme që, për kaq kohë, më kishin robnue pa kushte. Çdo gja të kalueme sikur e thirrsha në gjyq, para ndërgjegjes sime, e akuzojsha pa frikë, e dënojsha pa mëshirë. Më vijshin në mend ditët e para të edukimit në atë frymë, forca e fjalëve magjepsëse për liri e drejtësi, ndikimi i materialit propagandistik, fuqia e thirrjeve për subversion, përmbysja e shkatërrimi i botës sonë të kalbun…! Sa herë që para meje dilte figura e ndërtuesit fisnik të “botës së re”, të “botës së lirë”, të “botës pa shfrytëzues e të shfrytëzuar”, ndërtesa e re me “njerëz të lirë e të lumtur” e, ripërtërihej entuziazmi që më frymëzojshin këto ide fisnike për nji jetë vllaznore të përbashkët, nji buzëqeshje e dalun si me frikë, kalonte pa dashje mbi buzët e mia.
Megjithatë, rrethi i shokëve më delte përpara me fuqi, si nji pjesë e imja e pandame. Asnjëherë gjatë kësaj kohe, “ata” nuk më kishin dhanë përshtypjen e elementëve të gatshëm me u nënshtrue. Bashkë kaluem mjaft orë në mbledhje ilegale, në aksione që kërcënojshin jetët tona. I pashë “ata” të guximshëm, plot vullnet e koshiente të punës së tyne. Në ato ditë, isha i bindun se, ashtu si unë, “ata” punojshin, Luftojshin para së gjithash, me qenë shqiptarë të mirë, e njerëz të mirë. Ky patriotizëm dhe ky ideal lirie që na mbushte me kurajo për veprim, ishte e vetmja forcë lëvizëse për mue e për ish-shokët e mi. Tashti e shihsha veten të ndamë, e aq larg nga “ata”. Sjellsha në mendje qëndrimin e tyne në mbledhjen e fundit, kokët e uluna, heshtjen e plotë, e qëndrimin armiqësor kundër meje, me nji bindje të verbët. “Shokët” e mi i shihsha tashti pa guxim, pa gojë, plot frikë, si rrjedhim i jetës së regjimentueme që kishin zgjedhë e që nuk i nderonte. Me gjithë dhimbjen e madhe që më shkaktonte kjo ndamje, largimi nga nji rreth që kishte qenë pjesë e pandame e tanësisë sime për tri vjet, më solli kryenaltësinë e njeriut të lirë. Ndryshimi i vrullshëm që pësova, nuk mund të kalonte pa lanë mbresën e vet në marrëdhëniet me shokët. Pa vonesë, kuptova që isha përballë kundërshtarësh! Të nesërmen, në shkollë, sulmi ishte përgatitë.
Gjatë ditës së dielë, “shokët” e ngarkuem për këtë qëllim, kishin punue me nxitim. Me kontaktet e para, ndjeva ambientin e ftohët që më rrethoi. Asnji gjurmë e shoqnisë sonë! I ulun në bankën time, përballova këtë gjendje me gjakftohtësi, tue ndjekë me vëmendje shpjegimet e profesorit. Gjatë gjithë paradrekës fola vetëm me Eqremin, shokun e bankës që mbeti besnik gjithëherë pranë meje. U mobilizova mos me lejue që nji fjalë ose gjest i vetëm, të tradhtonte të brendshmen time. Kisha vendosë me rezistue kundër sulmit, me çdo kusht. I lehtësuem shpirtënisht, me gëzimin që sjellë lirimi nga ndryshja, isha i gatshëm me pranue duelin që më ofronte ky “izolim”, e që “shokët” përgatitën për mue. Padyshim, ata përgatitshin edhe nji atmosferë ekskluziviteti për të gjithë veprimtarinë tonë, ku vetëm ata kishin të drejtë me drejtue e kontrollue. Ajo ma e rëndësishmja ishte se, u ndiejsha plotësisht zot i vetes sime dhe konsekuent i natyrës sime; gjithçka afronte, pajtonte, e shkonte në hap me të. Brenda nji kohe të shkurtër, ishte krijue nji harmoni që më jepte jetë e fuqi të pakufishme. Ishte bota ime e brendshme, që po ndërtojsha me duart e mia. Ishte bota time që kërkonte përpjekje të vazhdueshme, por që nuk më mundonte.
Mbas dreke, kushërini im, që ishte edhe shoku im ma i mirë, m’u afrua. Pa më dhanë kohë për përshëndetje, ai u zbraz: “Ti ke pikëpamje, që për ne janë reaksionare, bile dhe të rrezikshme,” filloi ai. Pa më lejue të baj pyetjen: “Cilat janë këto pikëpamje”? ai, me nji gjest padurimi vazhdoi: “Ti frikësohesh nga ajo që do të vijë, nga shoqënia e re që na do ta krijojmë, dhe që ti e sheh me kaq dyshim…! Ti trembesh nga ajo që sheh sot, nga përpjesëtimet e mëdha e të ashpra të luftës që udhëheqim na komunistët, dhe tërhiqesh. Na nuk çuditemi! Kësi rastesh kemi pa edhe ma parë, do të shohim edhe ma vonë. Sigurisht! Tek e fundit, na nuk kemi nevojë për të rij të rritun në ambiente borgjeze, e të brumosun me moralin e saj. Na jemi koshientë se borgjezia asht armiku jonë kryesor dhe nuk çuditemi kur dalin kundërshtarë nga radhët e saj….”, e u largue pa përshëndetë. Isha në fazën ma kritike të rinisë sime, në fazën e formimit të personalitetit tim. Për çdo rast dhe në çdo vend, përballojsha diçka të re që bante pyetje, e që kërkonte përgjigje, nji duel i vazhdueshëm që më jepte brumin e nevojshëm me ndërtue faltoren time të re. E përvlueme nga nji vuejtje e parakohshme, e mësueme nga nji përvojë e ashpër, kjo natyra ime po farkëtohej nën ndikimin e nji frymë të lirë, që tashti, më dukej se qarkullonte në të gjithë dejet e gjakut tim. Përpjekje e liri! Mbas kësaj përvoje, evitova çdo diskutim me shokët e klasës. Isha i zanun me duar plot me veten time. Ndërsa ditët rrjedhnin të qeta në dukje, në brendi po shuhej nji vullkan, e bashkë me ftohjen e tij, nji nevojë e madhe me u tërheq në vetvete, rritej çdo ditë e ma shumë. Kisha nji nevojë të fortë me mendue! Edhe në pamjen e jashtme, gjatë jetës së përditshme fillova me ndryshue. Nuk isha ma i hedhun, diskutojsha ma rrallë, nuk flitsha me dalldi, evitojsha takimet, kthehesha në shtëpi herët e, dalëngadalë, po i largojsha çrregullimet në veshje e trup. Por, nevoja me mendue ishte këmbëngulëse !
Nga shkolla, zakonisht shkojsha drejt në shtëpi. Nji ditë ndigjova mbas meje disa hapa që i njihsha mirë. Ishin hapat e Lilit. Qysh nga dita e largimit tim nga rrethi i “shokëve”, Lili, kujtimi ma i ëmbël i ditëve të rinisë, kishte ndryshue shumë. Përshëndeste me ftohtësi e kalonte. Evitonte bisedën e nuk më buzëqeshte si përpara. Kur më shikonte, nuk njihsha ma sytë e saj të bukur, e fliste pa interesim. Kësaj radhe nuk u ndal! – Lili! – e thirra. Ajo u kthye si me përtesë, e pa folë, më shikoi sikur më qortonte. – Më fal Lili! Due të flas me ty! – i thashë. Bana dy hapa, e kur isha pranë saj, pashë tek ajo, për të parën herë, dy sy të ngulun thellë në mue. Asnji muskul fëtyre nuk lëvizte. Buzët sikur i kishte ma të mprehta se zakonisht, e mollëzat e faqeve, ma të daluna. Sytë ndritshin, por jo në suazën e fëtyrës së gëzueshme të Lilit që njihsha unë, në nji kallëp fytyre që ishte zbardhë, bile edhe zbeh nga zemrimi, jo ndriçim gëzimi, por nji ndezje, që për mue, qe e papritun. Para meje ishte Lili që më urrente! – Fol, të lutem! – më tha shkurt e me nji ton vendosmënie. – Pse ke ndryshue kaq shumë, Lili? – Gabohesh! – m’u përgjegj. – Përkundrazi! Ti je nji tjetër, je krejtësisht nji tjetër. – Nuk të kuptoj, – i thashë. – Por unë mendoj…! Ajo më ndërpreu. – Ke mendue shumë mirë…! Ajo që mendon ti, ka shkaktue largimin e të gjithë shokëve e krijimin rreth teje, të nji rrethi shoqnuer të ftohët. Memorie.al