Ministria e Shëndetësisë i ka kthyer përgjigje zyrtare, Federatës Shqiptare të Futbollit, lidhur me kërkesën e tyre për rinisjen e futbollit.
Në një kohë kur vendi po hapet gradualisht, Ministria e Shëndetësisë i ka shprehur FSHF-së, gatishmërinë për bashkëpunim, pasi sheh mundësinë e rihapjes me masa dhe shkallë graduale.
”Komiteti Teknik i Ekspertëve po punon për protokollet e posaçme për hapjen graduale të aktiviteteve sportive, sipas stratergjisë së ri-hapjes të miratuar nga ky komitet. Në këtë kuadër do të vlerësonim bashkëpunimin tuaj për vijimin e hartimit të protokolleve të posacme nëpërmjet krijimit të një Grupi të Përbashkët Pune. Jeni të lutur të dërgoni përfaqësinë tuaj për të finalizuar hartimin e këtyre protokolleve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kujtojmë se tre ditë më parë Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Sportit dhe kryeministrit Edi Rama, ku iu kërkonte implementimin e protokollit sanitar për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit, në mënyrë që kampionati të rinisë.
Në letër thuhej se protokolli është përgatitur pas konsultimeve me ekspertë të FIFA-s, UEFA-s dhe disa federatave homologe, si dhe me stafin mjekësor të ekipit kombëtar.