“Kryetari i Degës së Shkodrës, që u tha policëve; pse nuk i vratë të gjithë të burgosurit, ishte Petër Bullati, i cili u pushkatue ma vonë, sepse…“/ Kujtimet e 96 vjeçarit Lek Pervizi, nga Belgjika…

Shpërndaje

Nga Lek Pervizi

 ODISEJA E PAFAJSISË

Vёllait tim Valentin, qё pёrballoi

47 vjet rresht stuhitё ideologjike tё 

komunizmit, pёr ma tepёr i ndarё

nga grueja, njё Odise e vёrtetё

mes shekullit njёzet.

Memorie.al /  Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjt që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit. Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit.  Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm. 

Heroizёm nё burg 

Një prej atyne të dënuemve me vdekje, ishte Ndue Pal Mirashi, që Valentini e kishte njohun në kohën e qëndrimit të tij te Lek Vuksani, kur partizanët komunistë sulmuan Dukagjinin. Çdo herë që kalonte pranë dritares, i shikonte ato që i priste një fat i tmerrshëm të mbështetun pas mureve, ndërsa Pali rrinte në mes në këmbë, që e përshëndeste tue buzëqesh, e pastaj vazhdonte të kryente disa ushtrime trupore. Shokët përreth e vështronin me çudi e me trishtim! Ç’i hynin në punë ato ushtrime, përderisa së shpejti miset e trupit tij, do të përfundonin atje nën zallin e Kirit?!

Një ditë prej ditësh, Ndue Pali i ishte afrue dritares e tue e përshëndet, i kishte thanë: “Mos na harroni“. Të afërmve të atyne u ishte dhanë leje që t’i takonin. Kur bëheshin këto takime, rojet i mbyllnin të gjithë dyert e qelive të tjera, me shul. Erdhën edhe prindët e Ndue Palit. Ai u paraqit para tyne me një far mburrje, i buzëqeshun, sikur asgjë s’do të ndodhte. Të vetët, tue e pa ashtu, nuk mundeshin me hap gojë nga emocioni  dhe nga të vaji që i zinte. Porta e derës së Valentinit, nuk ishte fort larg, dhe ai mund të shikonte nga frëngjia e derës dhe të dëgjonte gjithçka flitej. Ajo skenë e takimit i kishte mbet në kujtesë, sa që nuk mund ta harronte kurrë.

Ndou ishte mundue me i qetësue të vetët me fjalë të mira, por edhe të forta e gjithë zjarr. U thoshte:

-“Tashmë jam i gatshëm me e kalue pragun për në botën tjetër. Zoti do të më pranojë, sepse, – kishte shtue, – kam qenë gjithmonë një besimtar i mirë”.

E tue u folë ma me hov, kishte vazhdue:

– “Mos u dëshpëroni, do të ringjallëm në një jetë ma të mirë, shumë ma të mirë se kjo e juaja, në kët tokë plot vuajtje. Prandaj të dashun, mirupafshim në atë botë”! Të tilla fjalë shumë të pakët, janë njerëzit që mund t’i shqiptonin në një të tillë gjendje. T’afërmit të mbytun nga dënesa e lotët, nuk mund të thonin asnjë fjalë. Të burgosnit që kishin dëgjue dhe kishin ndjekë atë skenë të jashtëzakontë, nuk i përmbanin dot lotët që u rridhnin vetvetiu, prej syve të skuqun. Ndërkaq Valentini, kishte pikas një spiun, që njihej prej të gjithëve, i cili edhe ai nuk mund t’i ndalte lotët. Çudi e çudive!

Me thanë të vërtetën, duhet theksue se përballë vdekjes, janë të pakët ata që do të dinin të silleshin aq stoikisht e heroikisht, si Ndue Pal Mirashi.

Pas këtij takimi dramatik, ishte afrue një njeri tjetër te hekurat. Valentini nuk shqitej as një çast, nga frëngjia e derës. Kështu mundi të shihte atë që po takohej me të vetët.

Ishte një i ri rreth 20 vjeç, i pashëm e shtat-hedhun. Vetëm tue e pa, Valentinit i ziente shpirti, për fundin e tij të shpejtë. Pyeti njërin që kishte aty afër, për atë djalë. Ai i tregoi se atë e quanin Caf Meti, kishte qenë polic dhe për fatin e tij të keq, kishte marrë pjesë në arrestimin e një komunisti. Eprori që i kishte urdhnue, ishte dënue pesë vjet, kurse vartësi i tij, duhej ta paguante me jetën! Atë ish-komisar të policisë, që ishte aty në burg, nuk i fliste kush, sepse mbahej si spiun.

Qelia e të dënuemve me vdekje, rrinte gjithmonë e mbushun plot. Mbasi dënoheshin nga Gjyqi Special famëkeq, ata duhet të prisnin do kohë para ekzekutimit, sepse familjet e tyne, bënin lutje për falje, Presidentit të Presidiumit, Parlamentit dhe instancave të tjera. Prandaj herë pas herë, merrnin nga pesë a gjashtë prej tyne dhe i pushkatonin atje te Zalli i Kirit. Një mëngjes herët,  kur akoma ishte errët, ndodhi nji ngjarje dramatike. Fillimisht, u dëgjue zhurma e hekurt e bravave e shulave. Do të merrnin disa të tjerë.

Të burgosurit prisnin se kush e kishte radhën. Policët pasi i mbyllën të gjitha dyert, u ndalën para qelisë së vdekjes, ku njeni prej tyne lexoi vetëm dy emna: Ndue Pal Mirashi e Caf Meti. Të tjerëve të grupit të tyne, u kishte ardh falja. Ata të dy u ngritën nga shtresat, u veshën dhe pritën në kambë aty midis qelisë. Ndue Pali dhe Caf Meti, u kthyen nga shokët e tyne, që ishin çue dhe rrinin duarkryq e kokë ulun, të pushtuem nga emocioni që po ua merrnin shokët aty para syve, ndërsa ata do të liroheshin. Ndue Pali, tue e kuptue gjendjen e tyne shpirtërore, u foli:

– “Mbahuni burra. Ju patët fatin me u kthye ne familjet tuja, kjo asht kryesorja. Vërtet se na po ju lajmë lamtumirën nga kjo botë, për me shkue në botën tjetër, veç mos na harroni, prandaj ju përshëndesim, tue ju urue që të mos pësoni fundin tonë. Në fund të fundit, të gjithë jemi bijt e vdekjes”. Sa tha këto fjalë, kishte hapë kambët e, kryqëzue krahët, duke ndenjtë në pritje.

“Ç’bëni“? kishte thirr një nga policët, që ishte me gradë oficer, i cili u tha që të dilnin nga qelia. Ndue Pali u përgjigj, që le të vinin ata me i marrë. Oficeri me një polic, kishin ba disa hapa drejt tyne. Të dy heronjtë, ishin hedh mbi ta me egërsi të madhe, me dy thika të nxjerra nga lugët e tyne, tue i fërkue në betonin e birucës. Nisi përleshja mes tyne. Nga britmat, vrapuen aty policët e tjerë me shkopinj. Të dy të burgosunit që ishin truplidhur e, shumë të fortë, po u bënin ballë shtatë policëve dhe i kishin plagosë dy a tre me thikat. Por njeni nga policët thirri:

-“T‘i shtyjmë këto viganë, drejt derës nga fundi”, dhe kështu vepruen. Në këtë mënyrë, e nxorën Cafin në oborrin e vogël, ku ishte roja e armatosun e, cila i drejtoi automatikun dhe Cafi mbeti huq, tue sha me za të naltë e, mallkue ato kriminelë. Kurse brenda, policët arritën ta mposhtin Palin, që kishte humbë ndjenjat nga goditjet e shkopinjve. Pastaj iu sulën Cafit, tue e godit edhe atë me shkopinjtë, deri sa i ra të fikët, dhe e tërhoqën zvarrë. Ashtu të katandisun e pandjenja, i hodhën në një karrocë, si t’ishin thasë me lecka dhe nuk kaloi shumë dhe u dëgjue krisma e armëve vrasëse. I pushkatuen diku aty afër.

Të nesërmen e kësaj ngjarje, kishte ardh kryetari i Degës së Shkodrës, i cili si një kafshë e tërbueme, u ishte ç’jerrë policëve e rojeve, duke bërtit sa mundej, që të dëgjonin dhe të burgosunit:

-“Po ju more derdimenë, pse nuk i keni vra të gjithë, aty brenda në qeli? Të gjithë duhet t’i kishi eliminue, pa mëshirë“! Sipas tij edhe ata që i ishin fal. Cilës racë njerëzore u përkisnin këta xhelatë të pashpirt e, të pa ndjenja shqiptare, që i torturonin e i vrisnin të burgosurit e shkretë, të pafajshëm?!

Emni i atij xhelati, ishte Petër Bullati, i cili u pushkatue ma vonë, si tradhtar i partisë, më 1956. Me akuzën se kishte qenë agjent e spiun i jugosllavëve. E vetmja akuzë e vërtetё.

Nga një burg në tjetrin

Shefat e Sigurimit, vinin shpesh brenda burgut dhe ndjenin një kënaqësi të madhe, kur i shihnin të burgosurit të katandisun si mos ma keq.

Pastaj, për të njëqindtën herë, u thonin atyne që të mos rronin me ëndrra, se ndoshta një ditë mund të ndodhte ndonjë kundërrevolucion ose, se mund të kishte ndonjë ndërhyrje nga jashtë, për me rrëzua regjimin në fuqi, sistemin e tyne, etj., sepse së pari:

-“Do të ju zhdukim të gjithëve, për kët të jeni ma se të sigurt“! Ishte refreni i tyne i vazhdueshëm, që e përsërisnin deri sa u mërzitshin e largoheshin, jo të kënaqun, sepse të burgosurit, nuk e çanin kokën fare për çka llomotisnin dhe askush prej tyne, nuk ua vinte veshin.

Nji ditë e njoftuan Valentinin, që të bënte gati plaçkat sepse, do ta transferonin në burgun e vjetër, bashkë me të dënuem të tjerë. Kështu që në burgun e Gestapos, qelitë ishin mbushë me të dënuem për shkaqe të ndryshme. -“Shtatë prej nesh, – thoshte Valentini, – kishin mbet të fundit pa proces. Atë ditë i erdhi në takim e shoqja, të cilës i tha se e transferonin në burgun tjetër. I morën të lidhun dy nga dy për gjatë qytetit, të shoqnuem me roje të forta, ngjesh me armë. Gorizia e shkretë, e kishte përcjellë gjatë gjithë rrugës, ashtu si dhe familjarët e të burgosunve të tjerë.

Në burgun e vjetër, e vendosën në një dhomë në katin e parë, ku rrinin nja pesëmbëdhjetë vetë. Vetëm pak prej tyne, ishin në pritje procesi, të tjerët, e kishin kalue e pritshin të dilnin para gjyqit të popullit. Kishte dhe nga ata, që nuk kishin pranue me firmos procesin, me gjithë torturat e egra të çdo lloji, që u kishin ba. Të ardhurit e rij, rrinin vetëm kalimthi në pritje që t’u bahej procesi e, të dilnin në gjyq. Pas dënimit, i mbyllnin në dhomat poshtë, që ishin prej betoni. Kaluen disa muaj pa asnjë ndryshim e, në të njëjtën dhomё.

Akoma nuk dihej se ç’do të banin me Valentinin! Kishte kalue ma se një vit që hetonin mbi të, dhe rezultati ishte se në gjithë Shqipninë, nuk e njihte njeri. Si mund ta njihnin, kur gjithë jetën e kishte kalue në Itali, me studime e detyra?

E shoqja, si gjithmonë vinte çdo ditë para derës së burgut, por në këtë burg, nuk mund të shiheshin as nga larg as, nga afër, as nëpër shufrat e hekurta, sepse dera nuk ishte përballë, por anash zgarava metalike, pas të cilave rrinin të burgosunit. Kur ishte ndonjë roje e mirë, Gori mund t’i çonte ndonjë copë letër të shkrueme. Na ishin dy roje të mira, kushërij midis tyne, që silleshin ma njerëzishëm, ndaj të dënuemve. Këta i përkisnin nji familje “reaksionare“, që i kishin mobilizue në brigadat partizane, në kalim.

Askush nuk e dinte, se cilës familje i përkisnin. Por kur dikush e mori vesh, i këshilloi që të kishin kujdes, pse edhe midis tyne kishin spiunë, te futun kastile nga Sigurimi. Ndër të tjerat, tue qenë se në një kohë ishte ndalue hymja e gazetave, këto dy djem, u binin lajmet që u interesonin të burgosurve. Kjo dukej si e çuditshme, por në ato vitet para kishin ndodh raste të tilla si ky, ku të rij të “prekun“, kishin hy me punë në polici, ushtri e gjetkë. Të burgosunit mendonin se ato dy roje, do t’ishin të dobishme, në rast emergjence, si ikje ose kryengritje, kundër regjimit.

Këto ishin mendime të marra, por në gjendje burgu, çka nuk të shkon nëpër mend. Shërbimi sekret i Sigurimit ishte organizue në mënyrë të tillë, që edhe miza nuk mund të fluturonte pa dijeninë e tij, e jo ma të kishte raste organizimi kundër pushtetit, nga kundërshtarët e njohun të komunizmit, që nuk ekzistonin fare, por që mund të hipnotizoheshin. Kundërshtarët kryesorë, ishin eliminue krejtësisht: ose kishin ik jashtë shtetit, ose ishin në mal, të tjerët ishin pushkatue dhe shumica gjendej në burg.

Komunistët, tani e mbrapa do të kujdeseshin ma tepër, mos dilte dikush nga radhët e tyne, si disident. Sistemi organizativ i Sigurimit të Shtetit dhe ai i Partisë Komuniste, ishin në gjendje vigjilence të vazhdueshme, me një ushtri spiunësh, që kishin rekrutue nga të gjithë shtresat e shoqnisë shqiptare, sa që ato nuk thonin kot se; “ne e dimë se ç’zien në vorbën ose tenxheren e çdo shqiptari”.

Një ditë aty në derën e tyne, dikush foli:

-“A thue do të ketë një vend për mue, këtu“?!

-“Patjetër – kishte ndërhy Valentini që ishte veterani i dhomës, – edhe në mos pastë, nuk do të lajmë përjashta“.

U përshëndetën me t’ardhunin e ri: një djalë i pashëm rreth 22 vjeç, me të cilin Valentin, doli kushri. Ai ishte Ndue Fusha, i biri i ish-major Gjon Fushës, nga Bulgëri. Megjithëse nuk njiheshin ma përpara me të, por e dinte se kishin nji lidhje gjaku, nga ana e nanës tij, që ishte e bija e Gjon Markagjonit. E mori pranë vetes, duke shty pakëz shokët. Prindin, Gjon Fushën, ish-major i Mbretnisë së Zogut, ia kishin vra komshinjtë, në kohën e gjermanëve.

Të cilët kur erdhën partizanët, u bashkuan me ta dhe u banë edhe komunistë. Djali vinte nga birucat e Sigurimit, ku kishte pësue tortura ç’njerëzore, pse i kërkonin lidhjet me Mark Gjomarkun, i të cilit ishte nip. Marku në atë kohë, ishte i arratisun në malet e Mirditës, dhe konsiderohej si anmik potencial e i rrezikshëm, që kërkonte të organizonte forcat e malit, në krahinën e vet të Mirditës. Me ardhjen e tij aty, mendohej se e kishte krye punën e hetuesisë, por s’ishte ashtu. Të nesërmen e morën përsëri e, drejt e në birucën e torturave, megjithëse e kishin zanë ethet dhe e kishte temperaturën, mbi 39 gradë.

E prangosën dhe e çuen para hetuesit në orën 21 të darkës dhe e sollën të bamun pleh, në orën 3 pasmesnate. E kishin torturue deri edhe me korrent, dhe për çudi të çudive, i kishte ra temperatura normale, 36 gradë e gjysmë, si për inat të xhelatëve. Kështu e pa vetën të shëruem, paçka se me trup të dërmuem. Ç’nuk ndodhte, në ato rrethana skëterrore. Edhe ethet, iknin nga frika e torturave…!

Plaku i Mirditӫs

Aty ndërsa rrinin, ç’nuk i tregonin njeni tjetrit të burgosurit. Kështu Ndoj, i rrefeu Valentini e shokëve aty për rreth, historinë e vërtetë të një plaku mirditor, që u gjet i përfshimë në nji mbledhje të fshatit, ku do të flisnin autoritete të ndryshme të vendit, të partisë e të administratës.

Fjalën e kishte marrë një aktivist i madh i partisë, që kishte lind në një fshat aty pranë. Pas ma shumë se një orë fjalime, të pranishmit u ftuam me ba vërejtje dhe me kërkue shpjegime, me drejtue pyetje, e propozime, etj.

Si zakonisht, askush nuk guxonte të ngrihej dhe vazhdoi do kohë me mbretnue një heshtje e plotë. Në sistemin komunist, me marrë fjalën, duhej të kishe shumë kujdes, sepse çdo shprehje duhej peshue mirë, sepse për një gjysmë fjale, sikur e thanun edhe pa qëllim, të merrte dreqi. Me gjithë orvatjet e shokëve të podiumit, askush nuk po çohej me folë. Atëhere oratori vetë, iu drejtue një plaku 70 vjeç, që quhej Pal Doda, e që respektohej prej të gjithëve, për moshën dhe pse ishte shumë i squet e shejtan. Pali nuk donte me u çue, por sekretari i partisë, nguli kambë:

– “He de Pal, çohu e na thuej diçka”! Plaku u çue, e kruejti pak kokën dhe e shkundi mbi pëllëmbën e dorës çibukun, dhe tha se nuk ishte i përgatitun për kët punë, e prandaj s’kishte çka me thanë.

– “Po unë të njoh mirë, – kishte folë oratori, – dhe e dij se ti nuk ke nevojë për përgatitje, sepse natyra të ka ba gojëtar, prandaj mos na nxjerr pretekste të kota. Fol lirisht, çka të bjeri ndërmend, mos u druaj për asgjë”. Plaku u përgjigj:

-“Po ti e din, shoku sekretar, se mund të më shpëtojë ndonjë fjalë ose shprehje jo aq e pëlqyeshme”. Të gjithë të pranishmit qeshën, sepse e njihnin mirë Palin, se ç’plak shejtan ishte.

– “Fol, fol or Pal, e thuej ç’të duesh”, – ishte përgjigj sekretari, pak si i penduem, që e nxiti me folë atë plak.

Pali, pasi i fërkoi mustakët e tij të bardhë e, të gjatë, nisi me folë:

-“Për fatin e keq tonin, ne shqiptarët, dhe pikërisht të parët tanë, janë detyrue me iu nënshtrua zgjedhës, mundimeve, dhunës dhe padrejtësive të çdo lloji, nga ana e turqve, për pesë shekuj me radhë. Shtypja e tyne, ishte e padurueshme. Herë pas here, fillonte ndonjë kryengritje, që shtypej me egërsi të madhe. Pesëqind vjet, janë pak si shumë. Po mos të kishim pësue atë periudhë t’errët, ne shqiptarët, nuk do të kishim mbet populli ma i prapambetur i Evropës.

Populli nuk duronte dhe e mallkonte çdo ditë e ma tepër, atë pushtues barbar e të pamëshirshëm, tue iu lut Zotit që ta shpëtonte e lironte nga ajo fatkeqësi e tmerrshme, dhe nga dëshpërimi thoshin, ma mirë të na qeverisë djalli vetë, se sa Turkia. Ma në fund erdhi dita e andrrueme e, u shpall pavarësia e Shqipnisë, me 28 nandor 1912. Por fuqitë e mëdha, që na i quejmë të shtatë krajlitë, tue mendue se nuk ishim në gjendje me u qeverisë vetë, na çuan një princ gjerman, princ Vidin, që populli nuk e honepste dhe kështu përsëri thoshin, ma mirë të na kishin pru dreqin, se sa kët princ të huej!

Nuk kaloi shumë dhe erdhën pushtues të tjerë, malazezë, serbë, italianë, francezë, grekë, e për të gjithë populli shprehej se; ma mirë të vinte djalli i mallkuem, se ato.

Sigurisht se ne shqiptarët, i kemi disa shprehje, që nuk mund të përkthehen në asnjë gjuhë tjetër, dhe kjo e thirrjes se djallit, për t’i shpëtue nga një e keqe tjetër, ma beterre, nuk asht tjetër veçse, një mënyrë të shprehunit me një ironi të hollë, për të tregue pakënaqësinë ndaj një regjimi e sistemi, qoftë i huaj, apo vendas, që merrte nëpërkëmbë të drejtat e nevojat e një populli“.

Pali vazhdonte me folë në heshtjen e madhe që kishte përfshi gjithë të pranishmit, që kërkonin me ditë, se ku donte me dalë  ai plak shejtan, me fjalën e tij aq mirë të qendisun. Sekretari i partisë, kishte fillue me u ba nervoz. Ç’iu desh me ia dhanë fjalën?!

-“Por ja që ma në fund, na erdhi një burrë asgan, Ahmet Zogu, i cili filloi me qeverisë si kryeministër, e pastaj pas një lëkundje të vogël, i përkrahun nga ushtria e disa oficerë të zotët, u shpall nga parlamenti “President i Republikës Shqiptare”. Bukur fort! Por oreksi iu shtue dhe u vet shpall Mbret, me titullin; Zogu i parë, Mbret i Shqiptarve.

Por populli filloi të mërzitet, megjithëse ishte një shqiptar që i qeveriste, por po i qeveriste keq, jo si kishte prit. Sepse Zogu, filloi të rrethohet me njerëz injorantë e servilë, batakçi deri dhe tradhtarë. Kjo nuk durohej dhe në popull filloi të qarkullojë thanja e vjetër: Ma mirë të na sundojë dreqi, se ky batakçi! Le ta thejë qafën! Dhe ja që erdhi Italia, me buk e makarona, me 7 prill 1939.

Mbreti, në vend që të mbathte opingat e, të lëshonte kushtrimin për luftën popullore në mal, ia mbathi me brekë nëpër këmbë e, iku në Greqi, ku thonë se e mbrojti dhe e përcolli një mik e besnik i vjetër i tij, se ndryshe italianët, do ta kishin kapë gjallë.

Sa për italianët, sido që të silleshin si njerëz të qytetnuem e të zhvilluam, prapë se prapë ishin pushtues dhe populli nuk mund t’i honepste. Ma mirë të na vinte dreqi, se ky pushtues breshkaman. E ja që pushtuesi e humbi davanë, Duçja thej qafën dhe italianët u kthyen në vendin e tyne, pasi lanë shumë koka këndej. Gjoba duhej pague!

Kur nuk vonoi dhe erdhi gjermani, para të cilit dridhej bota. Shqiptarët, po e shihnin veten keq e ma keq, pushtues pas pushtuesi. Edhe një Mbret shqiptar që patën, i braktisi në ditën ma të zezë. Por gjermani nuk durohej, tepër i egër e tepër i rreptë. Populli nuk duronte:

Ma mirë dreqi i kuq, me brina, se sa gjermanët!

– Edhe gjermanët na morën të keqën e ikën, vendi u lirue nga pushtuesit dhe erdhi partia dhe u vendos qeveria qe kemi.   Tashti s’kemi çka me kërkue dhe unë s’kam çka me shtue ma”! Pasi e mbylli fjalën e tij, Pali u ul, e mbushi llullën me duhan dhe e ndezi, duke nxjerr tym nga goja e nga hundët, me kënaqësi.

-Po pastaj, ndërhyni sekretari që ishte çue në këmbë me të dy duart të mbështetura mbi tavolinë.

-“Ç’pastaj?! – ishte përgjigj Pali, – s‘kam çka me shtue tjetër“!

-“Po pse ashtu, e mbylle fjalën?! Nuk ke asgjë tjetër, për të shtue?! Gjermanët i përzumë, po pastaj”?!

“E pastaj, asgjë, ata u shporrën dhe mjaft. Ç’mund të shtoj tjetër, shoku sekretar“?!

-“Po, se pakut na thuaj, nëse populli asht i kënaqun pas vuajtjeve që ka pësue“, kishte shtue sekretari.

-“Patjetër se asht i kënaqun. Atë që e ka kërkue e dëshirue, gjithmonë e ka gjetë. S’ka çka, me kërkue ma“! – tha Pali.

Sa përfundoi këto fjalë, kishin shpërthye duartrokitje e brohoritje, e të qeshuna, që askush nga të pranishmit, nuk mund t’i përmbante. Sekretari e pa veten keq, e nuk mund ta fshihte zhgënjimin e tij të madh. Ç’iu desh me i dhanë fjalën atij plaku mirditor, duke e njohun mirë, se ç’shejtan ishte, me një gjuhë brisk dhe nënkuptime të thella. Në fillim, asnjënit nuk i kishte shkue mendja, se ku donte me dalë plaku.

Në përmbylljen, si një artist i vërtetë i satirës dhe i ironisë, ai kishte shfaq krejt dramën, që po përjetonte populli, tashti që kishte ardh vetë djalli i kuq me brina, me sundue mbi shqiptarët për shtat palë qejfe, e popullit i kishte mbetë fjala në fyt, sepse nuk ishte çka me thanë. Ç’dreq tjetër me kërkue, kur vetë dreqi, ishte ulë këmbëkryq në vatrat e tyne?!

Sa për Ndue Fushën, ky djalë i një familje të mirë, arrestue, torture e burgosë, si nip i Gjomarkajve, pas do kohë u sëmue rëndë e kaloi në tuberkuloz. E hoqën nga dhoma e Valentinit dhe e shtruen në spital, aty i shkreti vdiq, në lule të jetës. Kur të burgosurit e dhomës tij e morën vesh, u mërzitën, dhe ma fort Valentini, që e kishte dhe kushri dhe mori ngushëllimet e të burgosurve. Tregimi i tij, mbeti si një kujtim i fundit, që ai kishte lanë shoqnisë.

Këtë tregim të Ndout, Valentini e kishte shënue në shёnimet e tij tё kujtimёve të burgut, prandaj e pamë t’arsyeshëm me e përfshi në këtë libër, që të njihet edhe fati i trishtë i këtij të riu fatkeq. Memorie.al

Shpërndaje