Kryeprokurori flet për ‘vatrat e nxehta’ të krimit dhe zgjedhjet e ardhshme…

Shpërndaje

Për angazhimin e Prokurorisë së Përgjithshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryeprokurori Olsian Çela tha se, organi që ai drejton mund të ndërhyjë vetëm në rastet e çështjeve penale.

“Nuk kam ndonjë informacion se çfarë parashikohet nga politika se në cilin nivel do të përfshihet prokuroria në proces. Nëse do të kemi vepra penale, atëherë kjo do të hetohet nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme”, tha kryeprokurori.

Z. Çela deklaroi se, Prokuroria dhe Policia kanë një bashkëpunim shumë të mirë, gjë e cila ka dhënë rezultate të mira në hetimore dhe ndëshkimin e krimeve.

Kryeprokurori tha se, “vatër e nxehtë” mbetet qyteti i Elbasanit dhe për këtë prokurori është ofruar mbështetje për të kryer sa më mirë punën hetimore.

“Elbasani paraqet një problem serioz dhe vëmendja jonë ka qenë e përqendruar në këtë prokurori. Kemi pasur komunikime për të ofruar ndihmë për t’u lehtësuar punën me të cilën po përballen këtë periudhë”, tha zyrtari.

Por, kryeprokurori u shpreh se organi i akuzës gjithashtu si gjykatat në vend po ndeshet me mungesën e burimeve njerëzor për shkak të vetingut.

“Është një nga problemet kryesore që po përballemi. Kemi shqetësim përtej ngarkesës për prokurorë pasi numri i tyre është duke u zvogëluar për shkak të vetingut. Për të pasur produktivitet numri i prokurorëve duhet të ishte më i lartë”, tha kryeprokurori.

Në këto kushte, z. Çela shtoi se është menduar si zgjidhje efikase digjitalizimi i dosjeve por dhe shtiim i kapacitetet të policisë gjyqësore.

“Po mendojmë një shtim të kapaciteteve të policisë gjyqësore. Kemi nisur një projekt për të përballur këtë situatë. Ne synojmë që përmes digjitalizimit të dosjeve penale të shkurtojmë kohë për hetimet”, deklaroi kreu i organit të akuzës.

I vetëdijshëm për mungesën e ulët të besimit që ka prokuroria në opinionin publik, z. Çela tha se, Shqipëria ka mungesë të modeleve pozitive dhe do të ishte arritje nëse një ditë të rinjtë do ta kishin për krenari të jenë prokurorë.

“Nëse do të arrimë vërtetë që të rinjtë të kenë ambicien dhe të ndihen krenarë që do të arrijnë të bëhen prokurorë të këtij vendi besoj se do të kemi bërë diçka’, përfundoi ai.

Shpërndaje