Besimtarët myslimanë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, nisin sot muajin e madhnueshëm të Ramazanit.
Muaji më i rëndësishëm dhe i begatë për besimtarët myslimanë, sivjet na gjen në një situatë jo të zakonshme, në kushtet e pandemisë që ka përfshirë vendin tonë e mbarë botën.
Përveç problemeve që lidhen me shëndetin, kjo pandemi ka krijuar probleme ekonomike për mijëra familje, të cilat jemi përpjekur ti lehtësojmë sado pak dhe do të vazhdojmë të bëjmë maksimumin e mundshëm në mbështetje të qytetarëve.
Kështu do të vazhdojmë edhe gjatë këtij muaji të begatë të Ramazanit, duke dhënë më të mirën tonë në shërbimin tuaj.
Pavarësisht këtyre vështirësive të shtuara, ky muaj uroj të jetë i begatë për të gjitha familjet, një mundësi më shumë për t’u afruar me Zotin, për të qenë më të afërt me njëri- tjetrin, edhe pse për shkak të pandemisë objektet e kultit do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për besimtarët.
Sot, kam dëshirë të uroj të gjithë besimtarët myslimanë të Shkodrës e Shqipërisë: Me zemër të mirë Ramazanin, agjërim të lehtë e të pranuar, shëndet e begati në familjet tuaja!
Voltana Ademi