Rritja e çmimeve nuk ndalet dhe në nëntor kulmoi në nivelin më të lartë të dhjetë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se inflacioni arriti në 3.1% muajin e shkuar, duke shënuar një etapë të re në krizën e çmimeve që po shoqëron rimëkëmbjen ekonomike.
Ajo për çka shqiptarët shpenzojnë më shumë, ushqimet, janë edhe grupi që ka pësuar kapërcimin më të madh: 5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo do të thotë se një familje duhet të paguajë mesatarisht 1,700 lekë më shumë çdo muaj për t’u ushqyer.
Frutat, perimet, vajrat, buka, drithërat, bulmeti dhe sheqeri janë edhe kategoritë që kanë parë rritjen më të fortë.
Por ndërkohë, edhe karburanti paguhet sot 12,9% më shtrenjtë se Nëntorin e kaluar. Konkretisht 21 lekë më shumë për çdo litër naftë apo benzinë dhe 40 lekë më shumë për litrin e gazit.
Sipas raportit të FMN, të publikuar vetëm pak ditë më parë, kjo rritje çmimesh mund të kishte qenë më e lartë, nëse nuk do të ishte zbutur nga rënia e euros e muajve të fundit. Gjithsesi, inflacioni i lëndëve të para dhe ushqimeve ka nxitur shtrenjtimin e mallrave dhe shërbimeve edhe në grupe të tjera, si argëtimi dhe kultura, hotele, kafene, restorante, apo komunikimi.
Teksa inflacioni ka kaluar për herë të parë objektivin e Bankës së Shqipërisë, kjo e fundit ka tashmë përpara vendimin nëse duhet të rrisë normën bazë të interesit. Një vendim që duhet matur, sipas FMN, pasi rrezikon të pengojë rritjen ekonomike.