Kriset minareja e xhamisë së Et’hem Beut? Instituti Monumenteve: Mbetje silikoni!…

Prej mëse dy vitesh Xhamia e Et’hem Beut është duke u restauruar nga TIKA dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Gjatë ditës së sotme, arkitekti Astrit Seranaj ka publikuar një foto, përmes së cilës denoncon dëmtimin e kullës së minares së kësaj xhamie.

“Megjithse prej shumë kohësh i është nënshtruar procesit të restaurimit, në projekt nuk është i pasqyruar detai për ndërhyrje në këtë pjesë, pra dëmtimi është i kohëve të fundit.(shih fotot e projektit).

-Nuk është as pasoj e lëkundjeve të tërmetit të një viti më parë.Nëse do të qe kështu do të ishin marr masa të menjëhershme sepse dëmtimi është shumë serioz dhe kërkon ndërhyrje emergjente.

-E gjitha është pasojë e punimeve që janë kryer dhe po kryhen tek zona historike ngjitur me Sahatin e Tiranës dhe xhamisë së Et’hem Beut..

-Ndërhyrja me mjetet e rënda për realizimin e katër kateve nëntokë me pilota kanë shkaktuar lëkundje të forta tokësore, njëkohësisht dhe ndryshimet e ngarkesave për shkak të rëndesave të mëdha të betonit kanë shkaktuar ulje dhe për pasojë kanë dëmtuar minarenë.

Ky është shkaku!

-Ja përse zona historike nuk duhej të reduktohej, për t’iu hapur rrugë në këtë mënyrë ndërtimit të kullave shumëkatëshe pranë monumenteve të kulturës..

-Ja përse reduktimi i zonës historike pa një raport tekniko -shkencor nga këshilli kombëtar i restaurimit, siç e përcakton ligji sjellë këto pasoja të pariparueshme.

-Dhënia e lejeve me firmë të Kryeministrit për të ndërtuar kulla me parat e mafies në zonat e mbrojtura shkatërron trashëgiminë dhe monumentet tona historike.

Ky është një krim i pafalshëm.

Dikush duhet të mbaj përgjegjësi, dhe të ndëshkohet për këtë.

Shënim: Xhamia e Et’hem Beut gëzon statusin “Monument Kulture kategoria e l. shpallur më 17 mars 1948,” shkruan arkitekti Astrit Seranaj në “Facebook”.

Ndërkohë që në lidhje telefonike për këtë denoncim Arta Dollani, drejtoresha e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, shprehet se nuk bëhet fjalë për krisje, por mbetje silikoni nga çatia mbrojtëse.

 “Nuk bëhet fjalë për krisje, por për mbetje silikoni nga çatia mbrojtëse. Restaurimi vazhdon edhe do të pastrohet në vijim”, tha ajo./Opinion.al