Mediat ndërkombëtare raportonin sot se ish kreu i spiunazhit izraelit Mossad, ka intimiduar e kërcënuar prokuroren Fatou Bensouda për të hequr dorë nga një hetim krimesh lufte në vitin 2021.
Yossi Cohen, ish-kreu i inteligjencës së jashtme izraelite Mossad, kërcënoi ish-prokuroren e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, Fatou Bensouda në një seri takimesh sekrete, thotë në një investigim e përditshmja britanike The Guardian.
Raportimi përshtatet me të tjera sinjale që sugjerojnë se Izraeli dhe aleatët e tij perëndimorë kanë ushtruar presion ndaj trupave ndërkombëtarë të drejtësisë.
Kontaktet e Cohen me Bensouda ndodhën para vendimit të saj për hapjen e hetimit formal për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli, duke cituar burime të shumta, deri tani anonime.
Javës që shkoi pasuesi i Bensouda, Karim Khan, lëshoi një mandat arrestimi për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu bazuar në hetimet e vitit 2021.
Khan tha se ka “baza të besueshme” të besohet se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i mbrojtjes Yoav Gallant kanë “përgjegjësi kriminale” për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Një individ i njohur me taktikat e Cohen tha se ai kishte përdorur “stile të ulëta e të përçmueshme kërcënimi” kundër Bensouda edhe pse rrjedhimisht nuk arriti ta intimidonte apo influenconte atë.
Sipas zyrtarëve të gjykatës, krye-spiuni izraelit i kishte thënë gjyqtares: “Ti duhet të na ndihmosh dhe të lejosh që ne të kujdesemi për ty, ti nuk do të përfshihesh në gjëra që kompromentojnë sigurinë tënde dhe të familjes tënde”.
Izraeli nuk është pjesë e jurisdiksionit të gjykatës ndërkombëtare të Hagës.
Izrael është akuzuar gjithashtu për gjenocid në gjykatën ndërkombëtare të OKB, që ashtu si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë janë me bazë në Hagë.
Ekspertët thonë se paditë dëmtojnë legjitimitetin e luftës së Izraelit në Gaza dhe prishin marrëdhënien e tij me aleatët evropianë që janë anëtarë të Statutit të Romës, shkruan rrjeti AlJaseera.
Aleati kryesor i Izraelit, SHBA, e mbron atë në OKB nga pasojat e ligjit ndërkombëtar.
Disa ligjbërës amerikanë kanë nxitur Uashington të vendosë sanksione ndaj gjykatës ndërkombëtare pas lëshimit të urdhër-arresteve./topchannel/