Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot fletët e votimit për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë në Tiranë.
Sa i përket kandidatëve në fletë do të vendoset emri i kandidatëve, poshtë tyre emri i subjektit ku kandidojnë dhe bashkangjitur tyre logoja. Vendimi u mor pas seancës së sotme ku pati debate për vendosjen ose jo të emrave të kryetarëve të partive apo koalicioneve.
Ilirjan Celibashi tha se për koalicionet nuk do vendoset emri i kryetarit në fletën e votimit.
“Në lidhje me plotësimin e përmbajtjes së fletës së votimit për anëtarë këshilli kemi marrë konfirmimin edhe nga koalicioni tjetër që nuk kanë interes për të vendosur emrin e kryetarit të partisë në fletën e votimit. E përfundojmë këtë çështje si për rastin e koalicionit “Bashkë fitojmë” edhe në koalicionin tjetër nuk do jetë emri i kryetarit të partive”,-tha Ilirjan Celibashi.