KPK shkarkon gjyqtarin e Lezhës, Jak Ndoka…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra Jak Ndokën, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Lezhë.

KPK njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancave dëgjimore në datën 19 dhe 22 nëntor për subjektin e rivlerësimit, Jak Ndoka, vendosi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Jak Ndoka, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Lezhë.

KPK i ka kaluar barrën e provës subjektit të rivlerësimit për burimet financiare mbi një seri transaksionesh me pasuri të paluajtshme.

Komisioni ngre dyshime se gjyqtari i Lezhës Jak Ndoka ka deformuar të vërtetën nëpërmjet disa transaksioneve në shitjen e një apartamenti të vjetër në Lezhë me qëllim justifikimin e burimeve financiare për blerjen e disa pasurive të tjera në këtë rreth.

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Jak Ndoka e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995. Prej gati dy dekadash, ai ka punuar kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.