Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Agron Zhukri u shkarkua të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas rivlerësimit vetëm në kriterin e pasurisë. Zhukri nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit dhe u përfaqësua nga i biri, njëkohësisht avokat në këtë çështje.
Trupa e përbërë nga Olsi Komici, kryesues, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen, fillimisht njoftoi se kishte rrëzuar kërkesën e Zhukrit për të riçelur hetimin në dy kriteret e tjera të rivlerësimit. Kërkesa u paraqit gjatë seancës dëgjimore, kur u bë me dije se Zhukri ishte hetuar vetëm për pasurinë dhe ishte gjetur me një bilanc negativ të konsiderueshëm. Zhukri e kundërshtoi këtë gjetje dhe kërkoi çelje të hetimit për profesionalizmin dhe figurën. KPK njoftoi në seancë se kjo kërkesë ishte rrëzuar, pasi gjyqtari nuk kishte përmbysur barrën e provës sa i përket bilanceve negative për justifikimin e pasurisë. Pas kësaj KPK njoftoi vendimin e shkarkimit.
Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit që kryesohet nga Sali Berisha, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.