Kosova paketë ndihme në kohë krize; 100 euro për pensionistët, familjet në nevojë dhe punonjësit e shtetit…

Shpërndaje

Qeveria e Kosovës ka filluar marrjen e masave për përballimin e krizës energjetike por edhe asaj ekonomike.

Kryeministri Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati kanë prezantuar paketën prej 150 milion eurosh për luftimin e inflacionit.

Kurti tha se të gjithë qytetarët që përkushtohen në kursimin e energjisë do të subvencionohen nga shteti, gjithashtu mbështetje do të ketë edhe për pensionistët, studentët dhe ata që marrin ndihmë sociale.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energjinë, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, ndaj do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ne do të subvencionojmë dyfish faturën. Për pensionistët do të ndajmë më shumë e menjëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do ti mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, u shpreh Kurti.

Kryeministri i Kosovës theksoi se punonjësit publikë do të marrin mbështetje nga 50 deri në 100 euro, gjithashtu çdo biznes që rrit pagën për punonjësit e vetë, gjysma e pagës për 3 muajt e ardhshme do të jepet nga shteti.

“Për zyrtarët publikë do ndajmë shtesën prej 150 euro duke filluar nga muaj shtator. Kurse për punëtorët e ndërmarrjeve publike do të ndajmë shumën e menjëhershme prej 100 euro, do të mbështesim secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50 përqind të rritjes së pagës për punëtorët, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.  Përkrahjen tonë do ta zgjerojmë për studentët për të cilët do të ndajmë shumën e menjëhershme prej 100 euro kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar. Në muajt në vijim do ndajmë rreth 150 milion euro për pakon për përkrahje me inflacionin, ku përmes masës së subvencionimit të energjisë do të përfitojnë të gjitha familjet rreth 300 mijë, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa ministri i financave Hekuran Murati shpjegoi se nëse qytetari ka shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e kaluar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatë ose 10 për qind.

Shpërndaje