Kosova ndalon prodhimin e kriptovalutave në gjithë territorin e saj…

Shpërndaje

Prodhimi i kriptovalutave do të ndalohet në të gjithë territorin e Kosovës, tha ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në një postim në Facebook.

Ministrja ka bërë të ditur se në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Sipas saj, ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore dhe ka marrë vendimin “për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Për shumë vjet, në Kosovë është raportuar për keqpërdorim të energjisë elektrike në veri të Mitrovicës për prodhimin e kriptovalutave apo valutave digjitale.

Në katër komunat me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicën Veriore, që nga paslufta nuk paguhet energjia elektrike nga banorët që jetojnë atje.

Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike.

Shpërndaje