Kosova ndalon importin e shpendëve të gjalla nga Shqipëria…

Shpërndaje

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për ndalimin e importit të shpezëve të gjalla nga një zonë e prekur në Shqipëri për shkak të gripit të shpezëve-H5N8.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka marrë vendim për masat e ndalesës së importit të shpezëve të gjalla nga Shqipëria, pas paraqitjes së gripit të shpezëëve.

“Duke u bazuar në raportin e OIE ( Organizata Ndërkombëtare për Epizooti ) me numër reference D381-1-1-22, për lajmërimin e paraqitjes se sëmundjes Gripi i Shpezëve-Avian Influenza tipi H5N8 në zonën e Durrësit Shqipëri. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 21.03.2022 nxjerrë ‘’Vendim’’ me nr.03/205/22, për masat e ndalesës se importit të shpezëve të gjalla nga zona qe është konfirmuar prezenca e sëmundjes”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

Vendimi është nxjerrë bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë dhe udhëzimin administrativ Nr. 2005/24 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të Shpezëve” Gripi i Shpezëve”, bazuar në vlerësim të situatës epizootiologjike paraqitjes se disa rasteve në shtetin fqinjë.

“Jemi në kontakte të vazhdueshëm me autoritetin e veterinarisë se Shqipërisë, për shkëmbim informatash lidhur incidencën e mundësisë se përhapjes se sëmundjes. Si autoritet me i lartë i veterinarisë në Republikën e Kosovës, me të gjitha kapacitete jemi të angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve parandaluese të përhapjes se sëmundjes në vendin tonë”.

AUV shton se kontrolli veterinarë kufitar ngritët në nivel të mbikëqyrjes se detajuar të importeve të ngarkesave me shpezë.

Në Kosovë, aktualisht nuk ka asnjë rast të dyshuar me këtë virus. AUV thotë se kanë marrë të gjitha masat operative për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në fermat e Kosovës.

“Ne po punojmë aktivisht që të kemi sa më pak raste të prekura. Aktualisht që po flasim nuk e kemi asnjë rast të raportuar si të dyshimtë në prezencë të gripit të shpezëve H5N8. Por, jemi në terren dhe jemi duke marrë informata kudo që mund eventualisht të ketë ndonjë dyshim. Masa e vendosur ndaj Shqipërisë është masë e njëjtë që vendoset edhe nga ana e tyre në qoftë se kemi raste te ne. Dhe është masa që edhe vetë shteti kur ndodh shpërthimi i kësaj sëmundjeje nuk lejon lëvizje të shpezëve dhe lëvizje as brenda territorit të vet, e lëre më që të certifikojë ndonjë ngarkesë nga zona e shpërthimit që të dalë jashtë vendit”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka qenë në komunikim me autoritetet në Shqipëri që nga java e kaluar dhe se të gjitha shtetet në rajon janë në situatën emergjente ku kanë ngritur nivelin e kontroll.

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë.

Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave. Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës./F.Shala

Shpërndaje