Në Kosovë kafe-baret dhe restorantet, që po qëndrojnë të mbyllura që nga muaji mars, do të ofrojnë shërbime “merre me vete” që nga 18 maji, ndërsa do të hapen plotësisht, por me kushte distancimi dhe higjiene, nga 2 qershori.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kërkon nga Qeveria që, edhe pas lehtësimit të kufizimeve, të vazhdojë me subvencionimin e pagave, qirave dhe shtyrje të afatit për kthim të kredive.
“Do të fillojmë të punojmë, mirëpo do të nisim të punojmë me kapacitete gjysmake, kështu që këtë hendikap mundet ta plotësojë qeveria në këtë rast në vazhdim të subvencionimit të pagave, me vazhdim të mbulimit të qirave, si dhe me vazhdim të shtyrjes së kredive. Me këtë i bëjmë thirrje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët që t’ia dalim mbanë edhe të rihapjes ose të rimëkëmbjes së bizneseve”, tha Petrit Kllokoqi, kryetar i kësaj shoqate.
Më tej ai tha se do të kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që në rihapjen e këtij sektori të përdoret modeli i Austrisë dhe Gjermanisë.
“Ne e kemi marrë modelin e Austrisë dhe Gjermanisë, ku e dimë se edhe në rajon sot edhe në Beograd janë hapur kafenetë. Mirëpo, njëkohësisht ne i kemi marrë prej austriakëve, ku parashihet që në restorant tavolinat të jenë 1.5 metra larg njëra-tjetrës, klientët mes tyre të paktë 1 metër larg, dezinfektuesit të jenë të pranishëm, menyja të jenë një përdorimesh të dezinfektohen. Servisi, piruni, thika, të mos jenë të pranishme, por të shkojnë bashkë me ushqimin”, tha ai.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, sektori i gastronomisë, është nga më të rëndësishmit.
“Deri në 500 milionë euro sipas të gjitha vlerësimeve, që është një vlerë e madhe për ekonominë e vendit. Kështu që ne shpëtojmë jo vetëm vende pune, po ne shpëtojmë edhe sektorë, kompani të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë nëse i marrim masat e duhura”, -theksoi z. Rukiqi.
Bizneset në Kosovë janë të shqetësuara se ndihma financiare e qeverisë do të ndërpritet menjëherë me heqjen e kufizimeve.