Nga Justinian topulli
Korrupsioni si armik kombëtar
Një shoqëri e për rrjedhojë një shtet apo komb e bazon sigurinë, mbarëvajtjen dhe zhvillimin e tij tek lidhjet e besnikërisë që anëtarët e tij kanë me njeri-tjetrin. Kjo besnikëri ngrihet tek besimi që njerëzit kanë tek disa vlera morale të cilat ata i besojnë dhe i zbatojnë njëlloj. Këto vlera edhe pse janë shpirtërore dhe jo materiale, respektimi i tyre sjell të mira materiale më pas për të gjithë, madje garanton vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Besimi tek këto vlera shkatërrohet përmes korrupsionit moral. Ndërkohë korrupsioni ekonomik është pasojë e korruptimit moral. Morali i korruptuar i njerëzve i sjellë gjithë të zezat një shoqërie dhe një kombi. Vjedhja, mashtrimi, hiletë, abuzimet dhe ryshfeti janë pjesë e pandarë e këtij morali të ulët.
Në një shoqëri me moral të korruptuar nuk gjen dot drejtësi, edhe kur në të ka njerëz të mirë dhe të drejtë, sepse mbizotërimi i së ligës krijon një klimë dhe kulturë mosbesimi, e cila nga ana e saj vetëm se rrënjos korrupsionin moral dhe ruan status quon e së ligës në këtë shoqëri.
Kështu që korrupsioni duhet shpallur armik kombëtar, sepse ai degradon qeverisjen, mbarëvajtjen e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë. Degradimi i të cilave mbjell klimën e mosbesimit tek qytetarët, të cilët ose do të vuajnë duke sharë e mallkuar gjithë politikën dhe institucionet e shtetit, ose do të përshtaten me të duke e praktikuar korrupsionin si mjet jetese dhe zgjidhje për hallet dhe nevojat e tyre, ose do të emigrojnë jashtë vendit, ku shpresojnë të gjejnë një rend më të drejtë e më të mirë.
Dhe një shtet të cilin nuk e duan qytetarët e tij, nuk kanë besim tek institucionet e tij, ryshfetin e shohin si mjetin e vetëm të zgjidhjes së problemeve ose preferojnë më mirë ta braktisin për të shpëtuar nga ligësia e tij, është një shtet i dështuar. Dhe një shtet i dështuar përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe vendit që ai qeveris.
Një njeri i korruptuar, sidomos një nëpunës i shtetit edhe nëse shitet si patriot, ai është armik i kombit, sepse shikon vetëm përmbushjen e interesit të tij të ngushtë dhe me një akt të tillë ai dëmton shtetin, dhe kontribuon në rrënjosjen e klimës së korrupsionit dhe padrejtësisë, të cilat i vënë flakën sigurisë, rendit, zhvillimit dhe ekonomisë së një vendi.
Kështu që ata që e ushqejnë dhe mbajnë në këmbë korrupsionin, duhen shpallur armiq të kombit dhe të shtetit dhe duhen trajtuar si të tillë.
Nëse korrupsioni moral dhe ai ekonomik nuk luftohet me këtë ashpërsi dhe nëse qytetarëve nuk i kthehet besimi tek institucionet e qeverisjes dhe drejtësisë dhe për rrjedhojë edhe tek njeri-tjetri, atëherë ky vend nuk bëhet dhe as ka për t’u bërë ndonjëherë për së mbari. Dhe do të duhet të pranojmë me dhimbje se fqinjët tanë dashakeqë kanë pasur të drejtë kur thoshin se, shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen. Të korruptuarit para se të çojnë ujë në mullin e xhepit të tyre, e çojnë atë pikërisht në mullirin e armiqve të shqiptarëve.