Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka larguar nga detyra tre punonjës të QKT-ve në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Po ashtu, sipas njoftimit të Blendi Goxhjas, janë penalizuar edhe 6 punonjës të QKT-ve në Tiranë, Shkodër dhe Sarandë.
Këto largime kanë ardhur si pasojë e hetimeve administrative dhe masave që kanë përfshirë të gjithë sektorët teknik të shërbimit.
NJOFTIMI:
DPSHTRR, me misionin për të qenë një ent model efikasiteti dhe ligjshmërie, vijon të monitorojë çdo proces shërbimi, në qendër dhe në degët rajonale, për garantimin e standardeve të sigurisë e cilësisë! Në çdo sektor e praktikë, kur fluksi vjetor kapërceu 3 milionë shërbime ndaj qytetarit, ekspozohemi ndaj riskut permanent të akteve korruptive e abuzive, në dëm të qytetarit dhe në kurriz të Automotorizimit Shqiptar, ndaj përgjegjësia sa vjen e rritet për të eliminuar dhe goditur fenomenet negative si edhe për të larguar nga institucioni ynë, përmes kontrolleve e sistemeve digjitale dhe shkëmbimit të informacionit me të gjitha organet ligjzbatuese, deri në kallëzime penale, të gjithë elementet që nuk e meritojnë të jenë punonjës të shërbimeve të transportit rrugor!
Me përfundimin e afatit 4-mujor, të KQZ, për kufizimin e lëvizjeve në entet publike, deri në datën e zgjedhjeve, DPSHTRR paralajmeron masa dhe hetime administrative, që përfshijnë të gjithë sektorët teknik të shërbimit, pa përjashtim, në çdo drejtori rajonale!
Konkretisht largohen nga detyra 3 punonjës të QKT-ve Tiranë, Durrës, Vlorë; pezullohet drejtuesi i QKT-së Shkodër; penalizohen edhe 6 punonjës të QKT-ve Tiranë, Shkodër, Sarandë! Grupi special i DPSHTRR vijon hetimin e dokumentacionit, bazuar në indicie dhe denoncime të ardhura në platformën online.