Nga Gjergj Erebara
Për të dytën herë brenda pak kohësh, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi paligjshmëri në treg, por nuk e pa të arsyeshme të vendosë masa ndëshkuese, duke vënë në pikëpyetje nëse është apo jo në gjendje të zbatojë ligjin, që duket se është sfiduar hapur nga një drejtor shteti.
Të premten më 24 mars, Autoriteti deklaroi se komisioni kishte shqyrtuar në mbledhje problemin e lindur nga marrëveshja e një shoqate që pretendon përfaqësimin e autoshkollave me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, në prani edhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Autoriteti i Konkurrencës e konsideroi marrëveshjen të paligjshme.
“Në përfundim të vlerësimit ligjor, u konstatua se Akt Marrëveshja nr.2729 prot., datë 13.02.2023, lidhur ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të Autoshkollave, DPSHTRR-së dhe DPT-së, është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma a), të ligjit nr. 9121/2003, pasi me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg. Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar,” deklaroi Autoriteti i Konkurrencës të premten. [link]
Por autoriteti nuk pati masë ndëshkuese për autoshkollat, ndërsa drejtorët e Transportit Rrugor dhe Tatimeve, që të dyja agjenci ligjzbatuese dhe jo ligjvënëse, duket se nuk janë të shqetësuar aspak nga vendimet e autoritetit. Madje, vetëm dy ditë më parë, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor e injoroi rolin në këtë çështje të Autoritetit të Konkurrencës.
“Nuk jemi tërhequr, me Autoritet, pa Autoritet ajo (marrëveshja) do të eci para. Nuk diskutohet që jo vetëm që nuk rrezikon konkurrencën kjo që po bëjmë ne në mënyrë të pariparueshme, por në mënyrë të pariparueshme rrezikohej konkurrenca nga ajo që nuk po bënte autoriteti dhe autoritetet e tjera që nuk kanë punuar në vite për të mbrojtur konkurrencën e ndershme,” deklaroi Gonxhe.
Ky nuk është rasti i parë kur Autoriteti i Konkurrencës konstaton pa ndërmarrë masa ndëshkuese shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Në dhjetorin e kaluar, Autoriteti konstatoi pas një hetimi njëvjeçar se Vodafone Albania ka abuzuar me pozitën dominuese në tregun me shumicë të thirrjeve ndërkombëtare, por pavarësisht konstatimit, autoriteti dukshëm vendosi të mos zbatojë detyrën e vet të gjobitjes së shkelësit. Në vend të gjobës, komisioni u mjaftua duke deklaruar se Vodafone urdhërohet të mos vijojë të abuzojë me pozitën dominuese.
Marrëveshja e nënshkruar prej Gonxhes dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me disa subjekte që u prezantuan si përfaqësues të autoshkollave në Shqipëri, vendosi rritjen në mbi 80 mijë lekë të shërbimit të autoshkollës, një dyfishim i çmimit në krahasim me tarifat aktuale të ofruara nga tregu i lirë.