Nga Dr. Ardian Muhaj:
KONCEPTUALIZME MBI HISTORINË
Agresioni që i dha shkas Luftës nacionalçlirimtare të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike që e pati kulminimin e vet në epopenë e pashoqe për mbrojtjen e Shkodrës kishte kohë që përgatitej ushtarakisht dhe politikisht nga shtetet sulmuese Mali i Zi, Serbi e Greqi dhe padyshim në aspektin propagandistik gjithçka ishte e mirëmenduar dhe vazhdon të jetë e mirëstrukturuar dhe e mirëmenduar.
Një shtet që harxhon miliarda dollarë në armatim dhe luftë me armë, padyshim që i ka harxhuar edhe miliona në propagandë. Mirëpo, mjerisht Lufta Nacionalçlirimtare e viteve 1912-1913 dhe epopeja e Shkodres si kulminim i saj u ofrohen shqiptarëve ende edhe sot me lentet e propagandës së mirëstrukturuar malazeze dhe serbe.
Nëse Lufta Nacionalçlirimtare e viteve 1912-1913 dhe epopeja e Shkodrës nuk do të na ishin paraqitë dhe nuk do të vazhdonin të na paraqiteshin sipas këndvështrimit malazez dhe serb, ne sot do të kishim shumë monumente, shumë rrugë e bulevarde, shumë shkolla e shtatore që do të përkujtonin atë epope. Mirëpo, mjerisht nuk kemi asnjë, dhe fakti që epopeja e pakrahasueshme e Shkodrës është tabu dhe është harruar zyrtarisht, është dëshmi e asaj se prej kujt dhe nga ku na vjen konceptualizimi i asaj epopeje.