Linja më e madhe ajrore me kosto të ulët në Evropën Qendrore dhe Lindore, Wizz Air, do të ketë bazën e saj të re në Tiranë. Kompania do të ulë 3 avionë Airbus 320 në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, që nga data 1 korrik 2020.
Paralelisht me krijimin e bazës, krahas dhjetë destinacioneve tashmë në operim, Wizz Air, do të shtojë edhe 15 destinacione të reja për tetë vende nga Tirana, duke filluar nga korriku, për të shënuar në total 25 destinacione nga Rinasi.
Gjatë prezantimit të bazës se rë të Wizz Air, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Constantin Von Alvensleben, tha se rrjeti në rritje i kësaj kompanie në Shqipëri, do të mbështesë turizmin lokal, duke sjellë më shumë kapital në rajon si dhe të lidh tiranën me denstiancione të reja dhe emocionuese.
Dr. Constantin Von Alvensleben
“Wizz Air filloi të fluturonte në Tiranë në 2017 dhe që prej asaj kohe ka transportuar gati gjysmë milioni pasagjerë në dhe nga kryeqyteti shqiptar. Ne jemi shumë të lumtur që mirëpresim krijimin e bazës së re të Wizz Air në Tiranë. Kjo do të thotë konkurrencë e ndershme midis linjave ajrore, më shumë pasagjerë kur kufijtë tanë të jenë të hapur, çmime të përballueshme të biletave dhe mundësi udhëtimi për pasagjerët.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Wizz Air Grupo, i cili u shpreh:
Jozsef Varadi
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë sot hapjen e bazës sonë në Tiranë. Pas tre vitesh operacionesh të suksesshme, ne jemi të përkushtuar për të sjellë më shumë udhëtime të përballueshme për klientët tanë shqiptarë, ndërsa ndihmojmë në ngritjen e sektorit lokal të turizmit. Jemi të kënaqur që shtojmë pesëmbëdhjetë rrugë të reja tërheqëse sot dhe mbajmë standardet më të larta të protokolleve tona sanitare. Kemi besim se tarifat shumë të ulëta të Wizz Air dhe rrjeti i shkëlqyeshëm i rrugëve do ta bëjnë udhëtimin të përballueshëm për gjithnjë e më shumë pasagjerë.”
Linja ajrore do të funksionojë me një sërë masash të përmirësuara të higjenës, për tu kujdesur për klientët dhe ekuipazhin, ku të gjithë do të përdorin maska, ndërsa ekuipazhi edhe doreza. Që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë, trafiku i Aeporotit të Rinasit, u zvogëlua ndjeshëm, por është i hapur për për fluturime emergjente, humanitare apo të riatdhesimit. Numri i fluturimeve të riatdhesimit është të paktën një në ditë, ndërkaq qershori parashikohet të jetë muaji për të rinisur sërish fluturimet nga ky Aeroport.