Komiteti Teknik publikon masat e reja: Nga 4 janari, certifikatë vaksinimi për administratën dhe punonjësit e qendrave tregtare

Shpërndaje

Në mbledhjen e kësaj të enjteje të Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e pandemisë, ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Binou, u shpreh se situata e pandemisë në vend, mbetet e qëndrueshme.

“Kemi një ulje të lehtë të rasteve. Situata është e qëndrueshme. Nga ana tjetër, edhe pozitiviteti është i njëjtë. Në 3-4 javët e fundit kemi një situatë të njëjtë. Kemi një rritje të moshave të reja dhe pediatrike në 0-4 vjeç, kjo lidhet edhe me disa vatra që ne kemi pasur në shkolla, të cilat janë menaxhuar ashtu siç duhet, duke zbatuar të gjitha udhëzimet. Në lidhje me vaksinimin, 48% në rang vendi. Kemi rritje edhe në bashkitë e mëdha, ku në Tiranë shkon në 52%. Këto janë elemente të rëndësishme, por ne kërkojmë të kemi një ritëm më të lartë të vaksinimit në vend”, tha Silva Bino.

Edhe për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, situata është e qëndrueshme. “Edhe urgjenca kombëtare vazhdon të monitorojë situatën. Deri në këtë moment, nuk ka rritje të numrit të thirrjeve. Edhe në ditët e fundit, kemi pasur një ulje të lehtë të thirrjeve në banesë.

Infeksionisti Dhimitër Kraja u shpreh se 94% e personave të shtruar në spital janë të pavaksinuar. “Në spitalet Covid, prej disa javësh kemi një gjendje të qëndrueshme, si për numrin e shtrimeve, por edhe për rastet e rënda. Rreth 94% e rasteve që shtrohen në spitale gjatë kësaj periudhe janë subjekte që nuk janë vaksinuar. Kjo tregon vlerën e madhe të vaksinës për të mos u shtruar në spital, si dhe rrezikun e madh në rast mosvaksinimi”, tha Kraja.

Ndërkohë, Mira Rakacolli, kryetare e Komitetit Teknik publikoi edhe masat e reja.

  1. Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën përforcuese pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
  1. Pas vendimit për vaksinimin e mësuesve dhe studentëve, Komiteti ka marrë vendim që deri me datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi me datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë.
  2. Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet:
    Afrikë e Jugut
    Kenia
    Angola
    Zambia
    Bostvana
    Senegal
    duke filluar nga data 3 dhjetor, për tre javë.
    Shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njesitë shëndetësore.
  3. Masat e tjera në fuqi:
  4. Masat e tjera vijojnë si më poshtë:
  5. -​Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
  6. -​Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
  7. •​Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
  8. •​Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
  9. •​Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
  10. •​Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
  11. •​Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
  12. -​Vijon që në strukturën e aerorporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës ashtu sic është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
  13. -​Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
  14. -​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
  15. -​Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.
Shpërndaje