Komiteti Teknik për masat, Rakacolli: Nuk ndryshojnë kufizimet, kusht vaksinimi anti-covid…

Shpërndaje

Nuk do të ketë lehtësim dhe as heqje të masave antiCovid. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli thotë për A2 CNN se edhe për disa kohë do të mbeten në fuqi kufizimet aktuale.

“Shifrat që ne kemi sot, pavarësisht se janë të qëndrueshme, nuk diktojnë sot ndonjë ndryshim masash. Duhet të shohim ditët në vazhdim se çfarë do të na tregojnë”, tha Rakacolli.

Për kryetaren e Komitetit Teknik lehtësimi i masave varet nga mbulesa vaksinale në popullatë.

Rakacolli tregon se të rinjtë në vendin tonë janë grupmosha me nivelin më të ulët të vaksinimit njëherësh rrezik për përhapjen e koronavirusit dhe mutacioneve të tij.

“Vaksinimi ka lidhje me shifrat. Po u rrit vaksinimi, patjetër që do të ulen shifrat dhe patjetër që do të ulen dhe masat. Po të kesh më shumë vaksinim, do të kemi më pak të infektuar, më pak të shtruar në spitale, numri i jetëve të humbura do të jetë zero”, shtoi Rakacolli.

Edhe pse nga epidemiologët po flitet për fundin e afërt të pandemisë, zv.ministrja e Shëndetësisë e sheh me skepticizëm.

“Përderisa ka virus, nuk mund të themi që jemi në fund të pandemisë. Dihet që virusi krijon mutacione”, deklaroi Rakacolli.

Ende nuk dihet nëse Omicron do të shënojë fundin e pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë të dhënat zyrtare aktualisht tregojnë dobësimin e valës Omicron, me ulje të infektimeve dhe shtrimeve në spital.

Shpërndaje