Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet ligjore për marrjen e shtetësisë shqiptare, opozita kundër

Shpërndaje

Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugën ndryshimeve ligjore që lehtësojnë marrjen e shtetësisë shqiptare të personave që jetojnë jashtë vendit e dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar.

Çdokush që provon se ka origjinë nga një i paralindur, deri në shkallë të tretë me origjinë shqiptare, do të mund të fitojë shtetësinë.

Ndryshimet u sqaruan nga zv/ministrja Rovena Voda, e cila u fokusua tek rrethanat për marrjen e apo heqjen e shtetësisë shqiptare. 

Voda: Një nga mënyrat e fitmit të shtetësisë shqiptare është fitimi i pastër përmes origjinës që është lidhja familjare deri në tre shkallë, kriteri i qëndrimit i lidhur me banimin në mënyrë të vazhdueshme, i disponimit të të ardhurave apo burimeve financiare të mjaftueshme për jetesën, përcaktimi i kritereve të zotërimit të gjuhës shqipe si dhe njohurive bazë të historisë së Shqipërisë.

Ndryshimet e reja u kundërshtuan nga deputetët e opozitës parlamentare, sipas të cilëve duhet të ketë favorizime më të shumta për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, apo Mal të Zi. 

Alimadhi: A është marrë parasysh interesi kombëtar duke marrë parasysh shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi?

Projektligji i ri parashikon dhe rregullon rastet lidhur me investitorët, kur vendi ka interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës apo ekonomisë dhe sportit. 

Voda: Është rregulluar fitimi i shtetësisë shqiptare në raste të veçanta ku Republika e Shqipërisë ka një interes kombëtar, apo interes në fushën e arsimit, shkencës.

Komisioni i Ligjeve pas diskutimeve votoi nen për nen projektligjin për shtetësinë dhe tashmë diskutimet do të vijojnë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare si Komisioni përgjegjës për këtë ligj.

Shpërndaje