
“Sot, në Shkodër, përulemi me respekt para sakrificës së atyre që 34 vite më parë dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë. 2 Prilli 1991 nuk është thjesht një datë në kalendar, por një dëshmi e qëndresës dhe guximit të rinisë shqiptare kundër diktaturës. Si përfaqësues i vlerave demokratike, angazhimi im është që kjo sakrificë të mos harrohet kurrë dhe Shqipëria të mos kthehet më pas në hijen e padrejtësisë”, shkruan kandidati Hoti.
Postimi i plotë i kandidatit Hoti:
Sot, në Shkodër kujtuam 2 Prillin 1991, ditën kur në agoninë e saj, diktatura komuniste ekzekutoi katër të rinj. Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku 34 vite më parë shënuan me gjakun e tyre historinë e demokracisë së Shqipërisë.
Sot, 2 Prilli nuk është vetëm një përvjetor i dhimbshëm, por edhe një simbol i fuqisë së shqiptarëve për të përmbysur padrejtësinë. Është një kujtesë se liria kërkon sakrificë, por mbi të gjitha, kërkon që të mos harrojmë.
Ata që dhanë jetën për demokracinë, me heroizmin e tyre, na mësuan që të mos pranojmë kurrë më diktaturën—në asnjë formë dhe nën asnjë emër.
I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve të 2 Prillit