Khabib Nurmagomedov nuk ka fare interes për t’u ndeshur sërish me Conor McGregor, pasi deklaroi se nuk do të ishte racionale të paguhej 100 milionë dollarë për “të mundur sërish atë idiot”…
Rusi u shpreh se nuk është aspak i motivuar nga paratë në sportin e arteve marciale mikse dhe shtoi që nëse UFC kishte ndërmend t’i jepte aq shumë, më mirë t’i dërgonte për bamirësi.
Në vitin 2018, Khabib fitoi bindshëm kundër McGregor duke ruajtur titullin për peshat e lehta në UFC 229, ndërsa tani hodhi poshtë zërat për një ndeshje revanshi, edhe pse ajo mund të ishte një ndër më fitimprurëset në historinë e sportit të MMA.
“Jam i befasuar që njerëzit më pyesin për një ndeshje të tillë. Bëra çfarë desha me të, madje ishte ai që u dorëzua. E si mundet qoftë ta diskutojmë revanshin? Të gjithë e panë çfarë ndodhi në oktogon. Unë e kontrollova ndeshjen në çdo hap”, tha Nurmagomedov.
Kur një gazetar e pyeti “po për 100 milionë dollarë?”, Khabib u përgjigj: “Për çfarë më duhen aq para? Ka shumë organizata të ndryshme, UFC t’ua japë atyre nëse nuk dinë çfarë të bëjnë me aq shumë para. Por nuk më duket racionale të mi japin mua për të mundur sërish atë idiotin”.
Pavarësisht deklaratave të rusit, bosi i UFC, Dana White tha se dëshiron të që Khabib të ndeshet me McGregor, nëse fiton ndeshjen e ardhshme kundër Tony Ferguson, të programuar për t’u zhvilluar në 18 prill.