Këshilltari i PS nxjerr të palarat e votimit për zgjedhjet e delegatëve në Shkodër

Shpërndaje

Përqarja në partinë Socialiste Shkodër tashmë duket shumë qartë, zgjedhjet e fundit për delegatë të cilat u zhvilluan diten e shtunë, kanë nxjerr në pah pakenaqësitë. Një ndërto është dhe anëtari i këshillit bashkiak Shkodër për partinë Socialiste Elson Çeliku, i cili me anë të një statusi në rrjetin social Facebook tregon lojen e papëlqyeshme në përzgjedhjen e kandidatëve.

STATUSI I PLOTE:

Kam pritur me kureshtje procesin e zgjedhjeve për delegatët e kongresit të PS Shkodër jo vetëm për faktin se partia po kalon një fortunë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë por edhe për të parë se deri ku shkon lukunia e atyre që historia do ti skarcojë si persona që nuk sollën asgjë edhe pse ‘’u munduan aq shumë’’ Që nga momenti i parë kur nisi procesi për kandidaturat për zgjedhjet për delegatët filloi një lloj lojë e papëlqyeshme në përzgjedhjen e emrave që do të kandidonin. Në fakt u tha se këta kandidatura do të jenë më të përzgjedhurit por në fakt për disa prej emrave kjo nuk rezultoi e vërtetë. Deri në çastin e fundit askush nuk e dinte se kush do të ishin kandidaturat duke mos respektuar bazën. Disa emra të tjerë që duhej të ishin pjesë e listës së kandidaturave u përjashtuan duke e zbehur që në fillim këtë proces por edhe duke treguar qartazi se nuk është gjë tjetër veçse një proces votimi fals dhe i paracaktuar pothuajse me dërgimin e delegatëve përmes metodave antidemokratike.

Në fakt ajo që pritëm të gjithë ishte nisja e një rrugëtimi të ri për PS Shkodër sepse e gjithë ajo që ka ndodhur në këto 30 vite pothuajse asnjëherë nuk shërbeu për ta ngritur partinë në një nivel tjetër dhe kjo se ka qenë e pamundur por edhe atëherë kur ka patur një seriozitet nga drejtuesit e PS sërish ka patur pengesa që kanë dëmtuar socialistët. Kësaj radhe ishte momenti që pas shkrirje së strukturave dhe ringritjes së tyre nga zero PS Shkodër të tregonte jo vetëm vlerat e vërteta të saj që nuk i mungojnë nga potencialet e jashtëzakonshme që ka por edhe të sillte një ere të rë në formimin e kësaj strukture drejtuese si një katapultë për një rezultat spektakolar një zgjedhjet vendore për bashkinë Shkodër kurdo që mund të jenë.

Kjo nuk mund të ndodh kur edhe për pozicion deri diku të parëndësishëm për nga pesha politike siç janë delegatët e kongresit bëhet ajo lojë që u bë në përzgjedhjen e emrave. Demokratizimi i PS nuk mund të ndodh kur deri pas orës 16:00 kur u mbyll procesi disa prej atyre që u votuan dhe kishin emrat në listë nuk e dinin se janë kandidatë për delegatë të kongresit. Nuk mund të ndodh kur për të rritur numrin e pjesëmarrjes votat u bënë ‘’Super Vota’’ për të bindur antarësinë se ata që u votuan si delegat për kongresin kanë marrë votat në mënyrë bindëse. Kjo nuk mund të ndodh kur persona me peshë në PS dhe emra të rëndësishëm të brezave të ndryshëm përjashtohen dhe lihen jashtë e të parespektuar thua se janë kundërshtarët tanë dhe jo ata që kanë kontribuar për ta ngritur PS. Kjo nuk mund të ndodh kur transparenca nuk ekziston.

Ajo që ndjejnë pjesa më e madhe e socialistëve është keqardhje ndaj atyre që nuk e kuptojnë se janë të papëlqyer në PS Shkodër pavarësisht pozicioneve që mbajnë momentalisht, qofshin ata edhe deputet. E gjithë kjo metodë si loja kuka fshehtasi që u përdor në PS do të ndjehet më shumë se kudo në zgjedhjet vendore për bashkinë Shkodër kurdo që të zhvillohen. Këtë nuk do ta dëshironte asnjë prej nesh por nëse e fshehim atëherë do t’i bëjmë më dëm PS dhe aq më tepër kur të gjithë këtë e gatuan një grup i vogël personash që në vend të fitonin zemrat e antarësisë në fakt kanë bërë të kundërtën duke shkelur besimin e dhënë duke shkatërruar këtë proces që duhej të ishte nisja e rrugës së madhe drejt fitores së shumëpritur prej 30 vitesh në Shkodër. Patjetër që asnjëherë nuk është vonë për t’u tërhequr por pasojat mbesin gjatë bashkë me infeksionin e kësaj sjellje të pakuptimtë politike.

Shpërndaje