Detaje të reja janë zbuluar nga dëshmitari i ngjarjes së rëndë, ku Lear Kurti, humbi jetën në duart e policisë së shtetit. Miku i Learit tregon në emisionin “Piranjat” të gjithë kronologjinë e ngjarjes, ndërsa rrëfen se i ka parë policët teksa dhunojnë shokun e tij. Mes të tjerash miku i Learit njëherazi edhe dëshmitar i ngjarjes tregon se 32-vjeçari ka dhënë frymën e fundit në komisariat. Ai rrëfen se ka kërkuar që të ndihmojë mikun e tij por policët nuk e kanë lënë.
“Pash që ishin 3-4 patrulla. Dhe pash që po rrihej Leari barbarisht brenda makinës.” Kjo është dëshmia tronditëse e mikut të 32-vjeçarit të ndjerë Lear Kurti, për emisionin “Piranjat” në ABC.
Ngjarja e rëndë e së enjtes ka shokuar opinionin publik, ku 32-vjeçari Lear Kurti gjeti vdekjen në rrethana ende të paqarta në duart e policisë së shtetit. Menjëherë pas ngjarjes kishte një pafundësi alibish, që çuan në përplasje deklaratash mes institucioneve, konkretisht mes AMP dhe spitalit të Traumës. AMP pretendonte se 32-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, por “Trauma” theksonte se tek ata i riu ka mbërritur pas asnjë shenjë jete.