Kërkonte të prehej në vendin e saj, shuhet në kampin sirian Mentije Dumani, gjyshja që kujdesej për nipin dhe mbesën

Shpërndaje

“Më ktheni të vdes në vendin tim”, ishte apeli i 73-vjeçares, Mentije Dumani, për autoritetet shqiptare. Por ky apel ra në vesh të shurdhër. Pasditen e djeshme gjyshja e Eva dhe Endri Dumanit u shua në kampin famëkeq në Al Hawl në Siri.

Në videomesazhin e fundit për A2, gjyshja, e cila u detyrua të nisej për në Siri për t’u kujdesur për nipin e mbesën e saj jetimë kërkonte ndihmë. Ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore ajo nuk reshti së kërkuari ndihmë. Para pak ditësh 73-vjeçarja kishte shpresë se do kthehej në Shqipëri, por kjo shpresë u shua së bashku me jetën e saj.

Prej disa kohësh shqiptarët në kampin Al Hawl kërkojnë dëshpërimisht të bëhet diçka nga strukturat ligjzbatuese. Në redaksinë e A2 vijojnë të mbërrijnë kërkesa ndihme nëpërmjet letrave dhe mesazheve zanore.

Të njëjtat letra familjet e tyre në Shqipëri ua kanë drejtuar edhe autoriteteve shqiptare, Ministrisë së Jashtme, asaj të Brendshme, si edhe vetë kryeministrit, por deri në këtë moment nuk kanë marrë asnjë përgjigje, me gjithë insistimin e tyre disamujor. Referuar edhe një regjistri te mbajtur nga vetë gratë e atij kampi, aty ndodhen rreth 80 shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Më shumë se gjysma e tyre janë fëmijë.

Shpërndaje