Katari shpalos programin e aktiviteteve për Kupën e Botës 2022…

Shpërndaje

Katari po përgatitet të presë me aktivitete të ndryshme të apasionuarit pas futbollit që do të mbërrijnë në vend nga e gjithë bota për të ndjekur Kupën e Botës 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ka filluar numërimi mbrapsht për 100 ditët e fundit para Botërorit “Katar 2022” i cili do të fillojë më 20 nëntor me ndeshjen Katar-Ekuador.

Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Marketingut dhe Komunikimit i Komitetit të Lartë për Projektet dhe Trashëgiminë, Khalid Ali Al Mawlawi ka dhënë një deklaratë lidhur me aktivitetet në kuadër të Kupës së Botës.

Në një deklaratë nga faqja e Komitetit thuhet se një sërë aktivitetesh do të mbahen gjatë Kupës së Botës 2022 e cila do të fillojë më 20 nëntor dhe do të përfundojë me ndeshjen që do të zhvillohet më 18 dhjetor.

Për tifozët do të ofrohet mundësia që të ndjekin ndeshjet në ekrane gjigante që do të instalohen në shumë pika të vendit, kryesisht në kryeqytetin Doha, ndërsa përgjatë bregut që zgjatet për 6 kilometra në Doha do të mbahen aktivitete me performime kulturore dhe artistike dhe do të hapen kioska ushqimore. Përreth stadiumeve ku do luhen ndeshjet do të performohen aktivitete dhe produkte të artit skenik, të muzikës, modës, dizajnit dhe të punimeve artizanale nga më shumë se 6 mijë artistë.

Programi në qytetin Lusail përfshin kryesisht arte të rrugës, performanca me drita dhe aktivitetet për të apasionuarit pas automjeteve, në ishullin Al-Maha shfaqje dhe aktivitete të ndryshme kryesisht patinazh në akull dhe shfaqje cirku, në afërsi të stacionit të metrosë Ras Bu Fontas aktivitete muzikore që do organizohen nga kolektivi artistik Arcadia Spectacular si dhe në afërsi të Stadiumit 974 aktivitete të sporteve ujore.

Krahas këtyre, shumë aktivitete do të mbahen edhe në pika turistike përfshirë muzetë, Pazarin tradicional të Vakëfeve në Doha, Fshatin Kulturor Katara dhe Qendrën e qytetit Meshireb.

Shpërndaje