Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me megaoperacionin anti-drogë të koduar “Syri”.
Në bashkëpunim me Guardia di Finanzia-n, janë sekuestruar 992 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e cila ishte ndarë në 153 pako.
Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 3 shtetas shqiptarë kanë transportuar lëndën narkotike, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve me iniciale Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Gregor Likaj, 33 vjeç.
Nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.
Ndërsa, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. I., në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.
Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.